Transmetuar më 21-10-2020, 11:25

Gjatë Konferencës së Kryetarëve, e cila u mbajt sot nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, numri një i ekonomisë dhe financave, Analia Denaj, paraqiti projektligjin “Për buxhetin e vitit 2021”.

Sipas saj, Synim për vitin e ardhshëm do të jetë rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë.

"Gjashtë miliardë lekë janë akorduar për përballimin e pandemisë Covid, përfshirë edhe blerjen e vaksinës. 28 mld lekë janë akorduar për rindërtimin dhe 1,5 mld lekë vetëm per bonusin e qirave për familjet e mbetura pa strehë", tha ajo në fjalën e saj.

Buxheti 2021 për infrastrukturën, theksoi ajo, parashikon përfundimin e projekteve të nisura.

"Përparësi është siguria rrugore, përfundimi i rrugës së Arbrit, nisja e punimeve në Tunelin e Llogarasë", tha shefja e financave shqiptare.

Për sa i përket rritjes ekonomike, ajo u shpreh se për vitin e ardhshëm parashikohet në nivelin 5,5% ndërsa për këtë vit tkurrja mbi 6%.

Në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare Denaj tha se buxheti i 2021 parashikon një fond prej 1 mld lekë për procesin zgjedhor.

Në fjalën e saj, Denaj u shpreh po ashtu se rritja ekonomike gjatë periudhës 2021-2023 pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi privat ashtu edhe investimet.