Transmetuar më 21-10-2020, 12:02

Qeveria shqiptare po intensifikon përpjekjet për të detyruar qytetarët që të mbajnë maskë kudo jashtë shtëpisë. Për këtë, nga sot në të gjithë vendin janë shpërndarë mijëra nëpunës civilë të cilët do të luajnë rolin e sinjalizuesit për forcat e Policisë së Shtetit dhe policive bashkiake.

Këta nëpunës janë staf i të gjitha inspektorateve në vend dhe do të jenë të veshur civilë, pra si qytetarë të thjeshtë.

Ata do të stacionohen kryesisht në kryqëzime rrugësh, segmente publike të ndryshme dhe kudo ku nuk ndodhen forcat policore.

Vëzhgime ata do të kryejnë dhe në ambiente të mbyllura.

Detyra e tyre është që kur shohin njerëz pa maska të njoftojnë në kohë reale policinë që të aplikojë procedurën e gjobës për shkelësit e aktit normativ.

Kështu nëse një qytetar ndodhet në një rrugë lagjeje apo tjetër dhe është pa maskë dhe aty për momentin nuk ka forca policore, inspektori do të njoftojë ata për të gjobitur.

Për këtë është bashkërenduar puna me policitë për të mbuluar gjatë gjithë kohës hapësirat e detyrueshme për të mbajtur maskë. Shpërndarja e këtyre inspektorëve do të bëhet në hapësirat që nuk mbulohen dot nga policia në kohë të ndryshme.

Kryeministri Edi Rama në një takim që zhvilloi me inspektorët një ditë më parë, u shpjegoi këtë angazhim të ri të tyre.

📍Kryeministria – 🔴MASKAT si kontribut individual dhe publik në luftën e përbashkët #antiCOVID dhe respektimi i rregullave për të mos lejuar një MBYLLJE TJETËRNjë rrjet inspektorësh #antiCOVID në krye të detyrës në rrugë e në mjedise të mbyllura, për zbatimin e masave nga qytetari më i thjeshtë deri tek biznesi më i madh, me zero tolerancë për zbatimin e ligjit, për të mbrojtur shëndetin!⬇️Mos harroni 🙏😷 #maskë ↔️ #distancë 🧼 #higjienë

Publiée par Edi Rama sur Mardi 20 octobre 2020

Rama tha se qëllimi është "të pengojmë përshkallëzimin e përhapjes së infeksionit jashtë një ritmi të arsyeshëm dhe ritmin e arsyeshëm mund ta përcaktojmë vetëm ne njerëzit, në mënyrë që të mbrojmë ata që janë më të dobët dhe të mbrojmë sistemin tonë nga një mbingarkesë që mund ta bënte objektivisht të pamundur shërbimin ndaj shumë qytetarëve, të cilët mund të mos preken nga COVID-i, por kanë nevojë për shërbimet e përditshme në shëndetësi.’

Rama shpjegoi se ky rrjet inspektoratesh, do të jetë "në rrugë, kudo ku sipas hartës së venë në dispozicion dhe të përditësuar çdo jave janë ende burimet më të mëdha të rrezikut. Për të qenë në rrugë, jo për të vënë gjoba, sepse gjobat i vë policia, por për të sensibilizuar, për të komunikuar, por edhe për të lajmëruar policinë, për të bërë detyrën. Për të qenë në rrugë jashtë dhe brenda, për t’u vendosur në udhëkryqe, së bashku me punonjësit e policisë që kryejnë detyrën e  vet të përditshme dhe për të parë me sytë e këtij rrjeti, me sytë e shtetit sjelljet e qytetarëve".

"Ju nuk keni bllok, nuk keni laps, ju keni vetëm mjetin e komunikimit që njofton", u tha Rama inspektorëve që u lëshuan sot në terren. Mësohet se ata do të angazhohen edhe për të informuar dhe këshilluar njerëzit që të mbajnë maskë.

Gjoba e para 15 tetorit ishte 2 mijë lekë për mbajtje me detyrim në mjedise të mbyllura. Kjo aktuale është 3 mijë lekë dhe 5 mijë kur përsëritet. Arkëtimi i saj bëhet në faturën e dritave  kryefamiljarit ku jeton personi i gjobitur.

Sot jemi ne dhe gjithë bota para një enigme; Çfarë do të ndodhë nga përzierja bashkë e dy armiqve, e armikut të zakonshëm të vjeshtë-dimrit, gripit sezonal, viruset që janë vërdallë sa herë vjen vjeshta dhe dimri dhe këtij armiku të ri.

Nuk ka nevojë të jemi të lexuar në çështje shëndetësie që të dimë që gripi ta dobëson trupin, ta ul imunitetin. E në një trup të dobësuar nga gripi sezonal dhe me një imunitet të ulur, të vjen ky tjetri të futet në trup e mund të bëjë kërdinë.

Ndaj mbajtja e maskës, duke qenë se redukton ndjeshëm mundësinë e infektimit nga koronavirusi, por edhe gripi e viroza të tjera, në këtë kohë pandemie, është një detyrim që duhet të shihet si mbrojtje shëndeti dhe jo bindje ndaj urdhrave të shtetit. /noa.al/