Ajri i ndotur vret 500 mijë foshnje në vit, në të gjithë globin
Transmetuar më 21-10-2020, 12:27

Raporti i Gjendjes Globale të Ajrit thotë se cilësia e ajrit të brendshëm shkakton dy të tretat e vdekjeve pasi ndikon seriozisht në shëndetin e njeriut.

Ndotja e ajrit vitin e kaluar shkaktoi vdekjen e parakohshme të gati gjysmë milioni foshnjave në muajin e tyre të parë të jetës, ku pjesa më e madhe ishin në vendet në zhvillim, tregojnë të dhënat.

Ekspozimi ndaj ndotësve të ajrit është i dëmshëm edhe për foshnjat në barkun e nënës. Mund të shkaktojë një lindje të parakohshme ose peshë të ulët të fëmijës që vjen në jetë. Të dy këta faktorë shoqërohen me vdekshmëri më të lartë të foshnjave.

Gati dy të tretat e 500,000 vdekjeve të foshnjave të dokumentuara ishin të lidhura me ndotjen e ajrit në ambiente të brendshme, veçanërisht që buronin nga lëndët djegëse të ngurta si qymyr, dru dhe bajga kafshësh për gatim.

Fakti evidentohet në raportin e Gjendjes Globale të Ajrit 2020, i cili shqyrtoi të dhënat për vdekjet në të gjithë botën, së bashku me një numër kërkimesh në rritje që lidhin ndotjen e ajrit me problemet shëndetësore.

Ekspertët mjekësorë kanë paralajmëruar për vite me radhë për ndikimet e ajrit të ndotur tek njerëzit e moshuar dhe tek ata me gjendje shëndetësore, por vetëm tani kanë filluar të përballen me faktorin vdekjeprurës të foshnjave në bark.

Katherine Walker, shkencëtare kryesore në Institutin e Efekteve Shëndetësore, e cila botoi raportin, tha: “Ne nuk i kuptojmë plotësisht se çfarë mekanizmash janë në këtë fazë, por ka diçka që po ndodh që po shkakton ulje të rritjes së foshnjës dhe në fund të fundit peshën e lindjes. Ekziston një lidhje epidemiologjike, e treguar në shumë vende, në studime të shumta. ”

Beate Ritz, profesoreshë e epidemiologjisë në UCLA tha:

“Kjo nuk është ndotja e ajrit që ne shohim në qytetet moderne (në botën e pasur), por ajo që kishim 150 vjet më parë në Londër dhe vende të tjera, ku kishte zjarre qymyri brenda. Ndotja e ajrit të brendshëm nuk ka qenë temë qendrore për politikëbërësit, por duhet të jetë".

/NOA.al