Transmetuar më 21-10-2020, 15:48

Dy persona janë ndaluar në Aeroportin e Rinasit, të cilët tentuan të kalonin me dokumente të falsifikuara.

Po ashtu, është vënë në pranga edhe një 22-vjeçare e cila i kishte ndihmuar në këtë veprimtari.

Shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i kontrolleve të shtuara, duke përdorur edhe bazën logjistike bashkëkohore për evidentimin e rasteve të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara, kanë arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”, shtetasit:

-I. K., 21 vjeç, mbajtës i pasaportës italiane, i cili udhëtonte me linjën ajrore me itinerar Itali-Rinas. Pas verifikimit në laborator pasaporta italiane dhe karta e identitetit italiane rezultuan të falsifikuara. Nga kontrolli në vijën e dytë iu gjet e fshehur në çantën e tij edhe pasaporta shqiptare me të dhënat e tij.

-A. A., 26 vjeç, mbajtës i pasaportës siriane, i cili ka paraqitur pasaportën siriane dhe biletë me destinacion Gjermaninë. Nisur nga shkrimi i vizës dhe elementet e sigurisë së vizës gjermane, janë krijuar dyshime se viza mund të ishte e falsifikuar. Pas kontrollit të detajuar rezultoi se viza ishte e falsifikuar.

Njëkohësisht, falë shkëmbimit të informacionit mes Policisë Kufitare të Rinasit dhe homologëve, si rezultat i një pune të mirorganizuar dhe profesionale u bë i mundur dokumentimi dhe ndalimi i shtetases M. B., 22 vjeçe.

Ndalimi i kësaj shtetaseje u bë në dalje të Republikës së Shqipërisë, në vijim të hetimeve për ngjarjen e datës 23.08.2020, ku shtetasja shqiptare S. D. ka udhëtuar nga Italia në drejtim të Anglisë, e cila është kapur nga autoritetet angleze me dokumente të falsifikuara, kartë identiteti italiane dhe kartë shëndeti me të dhënat dhe gjeneralitetet e shtetases M. B.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.