Transmetuar më 21-10-2020, 17:04

Para se Kryeministri Edi Rama të hedhë firmën e tij në dokumentin e dakordësuar me Greqinë për t’u drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, duhet fillimisht të konsultohet me aktorë vendas dhe të huaj. Pavarësisht tensioneve, Rama do të jetë i detyruar të ulet me kreun e shtetit për çështjen e kufirit detare, një hap i rëndësishëm dhe me interes Kombëtar.

Kështu është shprehur në një intervistë për RTV Ora, eksperti i së drejtës ndërkombëtare Ksenofon Krisafi.

“Me çdo kusht të konsultohen me Presidentin e Shqipërisë që është kryetar i shtetit. Është çështje midis dy shteteve, nuk është çështje midis dy qeverive. Autoriteti kompetent është Presidenti, për të autorizuar ”, shprehet Krisafi.

Eksperti i të drejtës ndërkombëtare shton se, deri më tani nuk ka ndodhur një gjë e tillë, madje Rama nuk është konsultuar as me anëtarët e grupit negociator.

“Minimumi i minimumit, duhej të ishte thirrur grupi negociatator i palës shqiptare”, shton Ksenofon Krisafi.

Çështja e detit nuk është vetëm në interes të një partie, por duhet patur kujdes sipas Krisafit, pasi në të kundërt mund të përsitetet historia e 2009-ës.

“Nuk ma do mendja se ka një njeri me mend në kokë t’i bjerë murit me kokë dhe të marrë përsipër pasojat e përgjegjësive të tilla siç ndodhi me Marrëveshjen e 2009-ës. Doli në dritë dhe u pa që ishte një skandal, një gafë e madhe politike dhe juridike dhe ra, u përmbys”, shton eksperti.

Vajtja përballë Greqisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, Shqipërisë do t’i kushtojë shumë dije dhe para. Vendi ynë duhet të përgatitet për një betejë të ashpër diplomatike dhe juridike.

“Qeveria shqiptare duhet të bëjë mirë llogaritë dhe jo vetëm llogaritë nga ana formale por edhe llogaritë nga ana financiare sepse kjo do të ngarkojë një ngarkesë shumë të rëndësishme. Absolutisht e domosdoshme që Shqipëria të rekrutojë specialistë, juristë të shquar dhe avokatë nga më të mirët nga vende të ndryshme të botës”, këshillon Krisafi.

Edhe pse sipas Ksenofon Krisafit, vajtja në Hagë është zgjidhja e duhur, pasi shmang kushtet e vendosur në tavolinë nga fqinji ynë për interesat e saj.