Transmetuar më 21-10-2020, 19:54

Disa pamje qesharake janë shpërndarë në mediat britanike të një burri që qëllohet me shuplakë nga e shoqja kur refuzon të vërë maskën e fytyrës ne avion, dhe nis të mbajë një retorikë të gjatë kundër masave të koronavirusit. Në pamje shihet një fluturim i mbushur me njerëz i linjave britanike EasyJet nga Manchester që është duke u ulur në Tenerife, kur burri nis të flasë me skepticizëm ndaj masave të pandemisë.

“Po ju gënjejnë të gjithëve, sa më shumë t’i mbani maskat që më shumë kjo do të zgjasë. Zoti ju ndihmoftë”, thotë ai mes të tjerash, çka nis një konflikt me pasagjerë të tjerë që e kundërshtojnë.

Gjatë konfrontimit ai kundërshtohet dhe nga e shoqja të cilën më pas e quan ‘budallaqe’, kur dhe ajo e qëllon me shuplakë dhe pasagjerë të tjerë ndërhyjnë për t’i ndarë.

Gruaja e tij fillimisht i thotë të pushojë retorikën por burri refuzon të ndalet prej saj dhe thërret: “Hiqini maskat! Rezistoni!’

Kur gruaja e tërheq për ta ndaluar ai kthen në mënyrë vulgare: “Pusho ti budallaqe e dreqit!” Në këtë moment dëgjohet dhe zhurma e shuplakës së bëshme dhe kaosi shpërthen mes pasagjerëve në kabinën e avionit.