Gjashtë arrestime sot në Tiranë/ Bën bashkëjetuesen për spital, një tjetër tenton të vrasë me thikë babain dhe vëllain
Transmetuar më 22-10-2020, 11:24

Arrestohen në flagrancë dhe 6 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, u ndalua shtetasi B. P., 30 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 3 vjet e 8 muaj burg, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. C., 47 vjeç, pasi në rrugën “Marko Borçari”, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike duke e goditur me sende të forta bashkëjetuesen e tij, e cila është dërguar në spital për mjekim, jashtë rrezikut për jetën.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimin në flagrancë i shtetasit A. D., 36 vjeç, pasi në gjendje të dehur ka ofenduar, kërcënuar dhe ka tentuar të godasë me mjet prerës (thikë) babanë dhe vëllanë e tij, në banesën e tyre.

Po ashtu specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Q. Ç., 64 vjeç, pasi në rrugën “5 Maji”, ka vjedhur biçikletën e shtetasit K. C.

Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: G. R., 29 vjeç, H. B., 60 vjeç dhe M. Gj., 25 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur.

Gjatë natës, në Shkozë, ka rënë zjarr dhe është djegur plotësisht banesa në pronësi të shtetasit V. M., ku ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkaqeve të zjarrit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

/NOA.al