Basha: SPAK gojëkyçur, e kuptoj nervozizmin dhe frikën e Ramës
Transmetuar më 22-10-2020, 13:00

Kryetari i partisë Demokratike Lulzim Basha foli sot në një dalje tjetër publike për të dhënat e publikuara për Shqipërinë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Lulzim Basha paralajmëroi sot se do të jetë çdo ditë në konferencë për mediat, derisa SPAK të vihet në lëvizje dhe të hetojë aferat e koncesioneve dhe inceneratorëve.

“Ndërsa shqiptarët debatojnë me të për aferën e inceneratorëve, ai paguan 300 mijë euro inceneratorit të Elbasanit. E vetmja gjë që oshëtin sot, që buçet sot në Shqipëri, është heshtja e SPAK para vjedhjes së shekullit”.

Basha kritikoi rolin e SPAK, lidhur me mungesën e hetimeve. Ai i kërkoi organit të akuzës të ndëshkohen politikanët e korruptuar.

“SPAK, gojëkyçur pa asnjë veprim në hetim të aferës së inceneratorëve. Do të jem çdo ditë në konferencë derisa SPAK të hetojë. Kur keni ndërmend të dilni para shqiptarëve ku të bëni transparencë për veprimet që keni kryer për aferën mafioze të incineratorëve. Çdo ditë që zgjat inkurajon vjedhjen. Mbroni paratë, mbroni bukën e fëmijëve të vendit ndaj kësaj babëzie”, u shpreh Basha.

Lidhur me situatën ekonomike, sipas kreut të demokratëve, FMN ka publikuar të dhëna tronditëse për braktisjen totale të shqiptarëve nga Edi Rama.

Basha tha se Shqipëria ka investuar vetëm 0.86% të GDP për të përballuar pandeminë.

“FMN, të dhëna tronditëse për braktisjen totale të shqiptarëve nga Edi Rama. FMN, Shqipëria ka investuar vetëm 0.86% të GDP për të përballuar pandeminë”.

Basha kuazoi qeverinë se thjesht po menaxhon koncensionet për interesat e saj.

“FMN, Shqipëria e fundit në Europë për mbështetjen financiare për krizën shëndetësore e ekonomike. Edi Rama dhe qeveria e tij nuk i përgjigjen njerëzve dhe halleve te tyre pas pandemisë”, – theksoi Basha.

“Në projekt buxhetin e ri, 120 milion euro prapë për koncesionet, ky është një neri i cili deri në ditën e fundit të pushtetit ka për të grabitur shqipërinë dhe shqiptarët”.

“Ky është mesazhi i projekt buxhetit të vitit 2021. E vetmja shifër që qeveria raporton janë gjobat për ata që nuk mbajnë maskë, testimet vijojnë të mbeten më të uletat në Europë”,  thekoi Basha.

Kreu demokrat ilustroi edhe një grafik sesa para kanë dhënë vendet e tjera dhe sa ka dhënë qeveria shqiptare.

Basha komentoi dhe deklaratën e kryeministrit që e cilësoi opozitën si më të keqen e 30 viteve të fundit. Sipas kreut të PD, Rama kërkon ta tërheqë në një debat vulgar për të hequr vëmendjen.

“Unë e kuptoj nervozizmin dhe frikën e tij sepse e pret humbja e thellë dhe përballja me drejtësinë. I gjithë fjalori vulgar ka si qëllim të më tërheqë mua në një debat të zbrazët nga substanca. Unë nuk jam për t’u kacafytur me të. Kam pasur një përballje me 2011 dhe e kam mundur. Unë jam këtu për të mbrojtur interesin e shqiptarëve. Unë jam këtu për të treguar pse kanë ndodhur këto afera korruptive. Rama nuk ka përgjigje. Mos u çudisni me gjuhën e ulët dhe të baltës, e bën për të hequr vëmendjen. Sulmet ndaj meje janë gjëja më e pakët që do e bëjë”, u shpreh Basha.

/NOA.al