Transmetuar më 23-10-2020, 13:33

Me rastin e 149 vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës, një prej figurave më të ndritura të letërsisë shqipe dhe rilindjes shqiptare, në fshatin Fishtë sot u inagurua rindërtimi i shtëpisë së tij. Gjithçka ishte iniciativë e Ministrisë së Kulturës për të sjellë një kujtim të kësaj figure të madhe kombëtare shqiptare.

Të pranishëm ishin në inagurim ministrja e Kulturës Elva Margariti si dhe kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama shkroi lidhur me eventin:

SHTËPIA E RINDËRTUAR E AT GJERGJ FISHTËS çel dyert në këtë përvjetor të lindjes së tij, në Fishtën e bukur ku prej sot ka një arsye më shumë për t’u ndaluar e shijuar ajrin e natyrës dhe historisë shqiptare.

Dita e vdekjes e Naimit dhe dita e lindjes së Gjergj Fishtës duket sikur janë vendosur me dorën e Zotit për të ndjekur njëra-tjetrën. Të dy e kanë merituar lavdin e të qenurit “Homerë të Shqipërisë ”. Të dy lirikë e të dy epikë. Të dy etër të shqipes së shkruar e të folur mbi dy partitura të ndryshme muzikore. Njëri tosk e tjetri geg, Naimi dhe Gjergji janë dy zërat e Shqipërisë dykrenare, asaj të jugut plot gurgullima e asaj të veriut plot bubullima.

Të dy të ngjizur me mistikë e të përkryer në politikë, në politikën e shërbimit të kombit të vuajtur e të paepur, jo në atë të “vagabondave e shakllabanve, që rrin tash sa mot tu’u talle npër ne, me na qelb fis e atdhe”.

At Gjergji ishte ëndërrimtar e ishte usta. Prej oratorisë s’krështenë, formue pranë De Martinos dhe Mihaçeviqit dhe nën hijen e “cathedra Petri”, në një kohë lulëzimi të literaturës katolike, françeskani sqimatar përftoi nji t’ligjëruem plot tharm e forcë që mbas vedit tërhiqte gjithkënd.

Zoti i Shqiptarëve e begatoi me ndjesitë e dhuntitë më depërtuese në shpirtin shqiptar. Stoicizmi i tij ishte sa diellor aq dhe hënor. Për ne shqiptarët, ai është një zgjidhës nyjesh gordiane, nga ajo e alfabetit dhe paqtimit mes elitës katolike e shtetit modern shqiptar, tek ruajtja e kufijve të jashtëm të këtij vendi e naltësimi në vendin që i takonte të “universitas” gegë në të larmishmen Shqipëri. Sa ishte një Homer shqiptar i thellësive shpirtërore, Gjergj Fishta ishte edhe një Perikli i betejave madhore.

Si një françeskan i mirë përpara sulltanit të Egjiptit, trubaduri i Lahutës së Malcis u bë mburojë e së drejtës dhe e drejtpeshimit; këtu duke marrë në mbrojtje Shqypnin e mesme, që ca intelektualë me poture e quanin djep të anadollakëve, aty tue lshue anatemën mbi ksenofobinë me guzhinjeta. Ky frat që kishtë bredhur botën e në gjoks mbante dekoratat e shteteve fqinj, ishte një patriot i kulluar dhe një antinacionalist i bekuar; frymëzuesi i më të mirëve të këtij vatani dhe tmerri i mediokërve të çdo sahani.

Meshtari që kremtonte veç në gjuhën e Horacit e të Shën Jeronimit, e që në atë rang e nivel ngriti gjuhën e shqiptarëve të maleve, është përnjimend një Judas Makabe i shekullit XX. Heroit të madh biblik judeas që aq shumë e frymëzonte, Gjergj Fishta i përngjan për nga ideali, martiri shpirtëror, përkushtimi ndaj tempullit të Zotit e altarit të atdheut dhe fjala që kocka s’ka po kocka thyen.

U falemi Orëve të Shqipërisë që na falën një kolos të tillë!

“Ave Reverende Pater ac summe magister, morituri te salutant”