Transmetuar më 23-10-2020, 14:31

Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, ministrja e Shëndetësisë ka apeluar gratë që të tregohen të kujdesshme dhe jo neglizhente.

“Nëse do duhet të bënim një apel sot, apeli do të ishte i thjeshtë për çdo grua, për çdo nënë, ju lutem mos neglizhoni asgjë nëse ka diçka që nuk shkon në shëndetin tuaj. Sot në strukturat shtetërore ofrohet kontrolli i gjirit falas.

Nuk i kushton asgjë një gruaje që një ditë, 1 orë, 10 minuta, të kryejë mamografinë, nuk i kushton asgjë për të mundësuar depistimin e hershëm dhe për të fituar jetën”, tha Manastirliu nga një aktivitet në Elbasan.

Duke theksuar se vetëm në tre vitet e fundit është investuar në 6 spitale rajonale të cilët janë pajisur me mamografë të rinj, Manastirliu deklaroi se nëpërmjet miratimi të Programit Kombëtar për Depistimi e Kancerit të Gjirit synohet që çdo grua e moshës 50 – 69 vjeç të kryejë në kohë diagnostikimin me qëllim kapjen e hershme të tumorit të gjirit.

“Nëpërmjet këtij programi ne synojmë që çdo grua e moshës 50 – 69 vjeç të mundet të realizojë mamografinë një herë në 2 vjet duke synuar kapjen e hershme të tumorit të gjirit.

Nëse sot, me rritjen e numrit të mamografive në spitalet rajonale, kemi arritur që të mundet të ekzaminojmë më shumë se 20 mijë gra në vit, synimi i parë i programit të depistimit të hershëm të kancerit të gjirit është dyfishimi i numrit të grave të cilat kryejnë ekzaminimin e gjirit nëpërmjet mamografive”, tha Manastirliu.

Manastirliu tha se janë 688 gra të diagnostifikuara në vitin 2019 me kancer gjiri dhe më shumë se 5 mijë gra që vuajnë nga kjo sëmundje në vendin tonë. /k.k/noa.al/