Transmetuar më 23-10-2020, 15:27

Teksa një lajm se emri i Ervin Salianjit ishte hequr nga lista për kandidatët për deputetë në qarkun e Korçës bëri xhiron e rrjetit, Bujar Nishani, në rolin e anëtarit të komisionit të Vlerësimit të kandidatëve të PD, e mohoi këtë fakt.

Në një intervistë për ‘News24’ Nishani, teksa nuk dha detaje për emrat e kandidatëve të përzgjedhur, tha se ky ishte një fake-news që qarkulloi në disa ambiente të caktuara.

“Nuk komentoj as emra dhe as lajme të pavërtetë. Fake-news që mund të qarkullojnë në ambiente të caktuara. Ky është një proces që përveç vërtetësisë, i takon institucioneve të tjera për të përcaktuar se cila do të jetë lista përfundimtare në zgjedhjet e ardhshme.”, tha Nishani.

Duke qëndruar tek faza e përzgjedhjes, Nishani tha se nga 4 mijë emra, lista ka shkuar në 326. “Kjo i takon kryesisë së partisë, ne kemi ecur me një listë përzgjedhëse nga faza në fazë. Nga 4 mijë, kemi shkuan në 326.

E si ka qenë lista, si takon komisionit. Kemi respektuar fazën dhe procedurën. Kur të shpallen listat e deputetëve, besoj se ata do të jenë në hallkat e tjera të PD-së. Nuk ka qenë e lehtë nga faza në fazë. Në shumicën dërrmuese të tyre, vendimet janë marrë me konsensus. Është kualifikuar për të vazhduar ai që ka marrë më shumë vota. Nuk është gjykim i lehtë, por duhet të merrnim vendim final për të vazhduar para”, pohoi ai.