Transmetuar më 23-10-2020, 19:29

Kryeministri i Republikës Çeke, Andrej Babiš, ka thënë se do të shkarkojë ministrin e shëndetësisë, nëse ai nuk jep dorëheqjen pas një raporti mediatik, që ai theu kufizimet e rrepta të qeverisë dhe vizitoi një restorant në Pragë.

Roman Prymula është kritikuar pasi u fotografua duke dalë nga një restorant në Pragë të mërkurën, i cili duhej të ishte mbyllur sipas rregullat e reja të vendit për parandalimin e COVID-19.

E përditshmja Çeke Blesk njoftoi se politikani gjithashtu nuk mbante maskë kur po hipte në makinën e tij të drejtuar nga shoferi.

“Gabimi i Ministrit Prymula është i pafalshëm,” shkroi Babiš të premten.

“Në një kohë kur ne u kërkojmë njerëzve të ndjekin rregulla të rëndësishme, kur profesionistët tanë të shëndetit po luftojnë në vijën e parë të frontit, një sjellje e tillë është plotësisht e papranueshme. Unë i kërkova atij të japë dorëheqjen dhe nëse nuk e bën, unë jam gati ta shkarkoj atë”-u shpreh kryeministri çek.

Andrej Babiš tha se ai do të takohet me presidentin e vendit për të diskutuar një zëvendësim të mundshëm të minsitrit të Shëndetësisë, raporton CNN.

Në një intervistë për një të përjavshme çeke, ministri i shëndetësisë tha se ai ishte ftuar të merrte pjesë në një takim me një drejtor spitali dhe shkoi vetëm nëpër restorant në një hapësirë ​​private.

Prymula shtoi se ai nuk mendonte se ai kishte bërë shumë gabim, por do të japë dorëheqjen nëse kjo është ajo që dëshironte publiku çek.

Ndërkohë ministri i Brendshëm Jan Hamacek e mirëpriti vendimin e Kryeministrit dhe tha se ishte “zgjidhja e vetme e mundshme dhe e saktë”.

“Kjo na jep një shans për të ruajtur besimin e publikut në promovimin e masave të nevojshme për të luftuar epideminë”, shkroi Hamacek në Twitter.