Transmetuar më 23-10-2020, 19:13

Çdo ditë që kalon, Italia shënon rekorde të reja, në bilancin e pandemisë. Sipas autoriteteve shëndetësore kanë qenë mbi 19 mijë të infektuarit në 24 orët e fundit, 3 mijë më shumë se dje, ku ishte prekur një tjetër majë.

Bien viktimat, që sot ishin 91 kundër 136 të ditës së mëparshme, ndërkohë që janë mbi 10 mijë personat e shtruar në spital, dhe mbi 1 mijë ndodhen në terapi intensive. Në Lombardi janë rreth 5 mijë të infektuarit, e ndjekur nga Kampanja me 2280 dhe Piemonte me 2032.

Ndërkohë, kryeministri italian Giuseppe Conte deklaroi se do të shmangë me të gjitha forcat hipotezën  e një lockdown- i, një mbyllje të përgjithshme, që për analistët do të ishte fatale për ekonominë që po lëngon, por guvernatorë si ai i Kampanjës kanë propozuar që transferimi nga një rajon në tjetrin të kufizohet, siç ishte gjatë muajit mars.