Transmetuar më 23-10-2020, 19:17

Gjykata e Tiranës la në burg katër personat e arrestuar si autorë të atentatit të dështuar ndaj biznesmenit Andon Dhima.

Të dyshuarit Grid Leno, Mariglen Matohiti dhe Albin e Enea Hoxha mohuan akuzën, duke pretenduar se nuk kishin lidhje me ngjarjen.

Ndërsa prokuroria pretendon se i ka identifikuar ata nga pamjet e kamerave të sigurisë.

Sakaq, prokuroria tha se ka mundur të zbulojë një komunimim me sms mes dy vëllezërve Hoxha me tekst “Dole huq”.

Jashtë sallës së gjyqit, bashkëshortja e Grid Leno dhe motra e Mariglen Matohitit përjashtoi familjarët nga ngjarja. Sipas saj, bashkëshorti dhe vëllai kishin qenë në një restorant ekzaktësisht në kohën kur u tentua sulmi ndaj biznesmenit.

Dëshmia e familjarëve

Bashkëshortja e Grid Lenos dhe motra e Mariglen Matohitit, dy të arrestuar për atentatin e mbetur në tentativë ndaj biznesmenit, Andon Dhima, mohon akuzat e ngritura ndaj familjarëve të saj.

Sipas Greta Lenos, mbrëmjen e ngjarjes, bashkëshorti dhe vëllai i saj kanë qenë në një restorant të familjes dhe për këtë zotëron pamje filmike. Leno pretendon se bashkëshorti i saj është dhunuar nga punonjësit e policisë në momentin e arrestimit.

Ndërkohë, këtë të premte, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për Grid Leno, Albin Hoxha, Maringlen Matohiti dhe Enea Hoxha, të cilët akuzohen për “vrasje të mbetur në tentativë”.