Transmetuar më 23-10-2020, 19:40

Kryeministri Edi Rama akuzon Presidentin e Republikës, Ilir Meta, se ka pajisur me shtetësi shqiptare një shtetas të huaj i cili nga autoritetet e vendit tonë e ka nën hetim për një vepër penale.

Bëhet fjalë për një shtetas afrikan, futbollist, i cili ka marrë nënshtetësinë shqiptare me dekret presidencial.

Sipas kryeministrit, ky person është i akuzuar nga prokuroria shqiptare për falsifikim dokumentesh.

Futbollisti afrikan Winnful Essua Joseph Cobbina akuzohet se falsifikoi lejen e qëndrimit në Shqipëri. Dosja ndaj tij shkoi në gjykatë, por sipas Ramës, ndërkohë i riu afrikan u pajis me nënshtetësi nga Meta në mënyrë të paligjshme.

"Ilir Meta ka lidhje me Kushtetutën sa ç’ka lidhje me Topin e Artë ai futbollisti afrikan që mori pashaportën shqiptare për 8 orë nga Iliri, ndërkohë që ishte nën akuzë në Shqipëri për falsifikim dokumentash! Të dy bashkë po, e kanë një lidhje: I kanë bërë gol me kokë drejtësisë!", thuhet në një reagim të mbrëmjes së sotme të shefit të qeverisë. /noa.al/

PËRDITËSIM/ Reagimi i Presidencës

Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi ka reaguar kundër sulmeve të Ramës ndaj Metës pasi ktheu në Kuvend ligjin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Blushi që e cilëson kryeministrin si “buburreci trendi” thotë se më në fund pranoi se është autori i sulmeve kundër ekipit të Tiranës.

Ishte Rama që reagoi më parë duke komentuar faktin që Meta i kishte dhënë pasaportë për 8 orë një futbollisti që është nën hetim për akuza të falsifikimit të dokumentave. Blushi i thotë se “sosi uji i gamiles mister 1 prilli” ndërsa për pastërtinë e futbollistit i thotë që të pyesë institucionin e sigurisë kombëtare.

Deklarata e plotë

"Nuk kishim asnjë dyshim!

Buburreci Trendi e pranoi më në fund se ai është frymëzuesi dhe autori i vetëm i sulmeve më të ndyra dhe antikombëtare kundër ekipit të KF Tirana⚪🔵, tifozëve të mrekullueshëm dhe komunitetit të nderuar autokton tironas, të cilësuar prej tij dhe portaleve të tij, si "terroristë".

Urrejtjen tënde për Tironën dhe ngjyrat bardhë e blu⚪🔵 nuk ka për të ta amnistuar kush, bashkë me zullumet e tjera të tuat, për të cilat sigurisht do përgjigjesh një ditë.

Sa për pastërtinë e figurës së futbollistit të Tironës⚪🔵, pengu i mafies së inceneratorëve, i kapur tashmë në flagrancë, bën mirë të pyesë në institucionin e sigurisë kombëtare, që nëse na jep leje jemi gati ta publikojmë ne se çfarë thotë për "terroristin" bardhë e blu!

ORA E PËRBALLJES PO AFRON!

Sosi uji i gamiles tënde Mister 1 Prilli!"