Transmetuar më 24-10-2020, 11:40

Naftëtaret janë futur në ditën e 10 të grevës së urisë.

Gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar, ndërsa i kanë bërë thirrje qeverisë dhe instancave shtetërore të reagojnë.

Dy prej grevisteve janë dërguar në spital për shkak të gjendjes shëndetësore të rënduar.

Ndërkohë nënkryetari i Sindikatës së naftëtarëve tha se nga e hëna është menduar që grevës së urisë t’i bashkohen fëmijët dhe familjarë të tjerë.

“Gjendja është katastrofë. Mbrëmë kam qëndruar pranë tyre, ndërsa sot gjendja është më e rënduar. Nga e hëna kemi menduar të sjellim fëmijët, përderisa zoti kryeministër nuk reagon. Zoti kryeministër thirrje nga ky shesh, merr masat dhe jepi zgjidhje kësaj katastrofe që po bëhet nga naftëtaret”, – deklaroi nënkryetari i Sindikatës së naftëtarëve.

Qeveria u ka bërë thirrje të dalin nga greva dhe të pastaj të nisin bisedimet.

Por grevistet kanë thënë  se nuk do të negociojnë për pagat.

Ftesat e kryeministrat Rama për të dalë nga greva ata i konsiderojnë heshtje, duke mos realizuar nisjen e shlyerjes së pagave të prapambetura , për të cilat fituan edhe gjyqin.

“Jemi shumë keq po na vret stresi dhe heshtja e kryeministrit Edi Rama. Mos na detyroni që të sjellim edhe fëmijët këtu. Për ne pagat janë të panegociueshme. Ne do të vazhdojmë grevën e urisë dhe që këtu dalim vetëm të vdekura”, – janë shprehur gratë naftëtare.

Ato pretendojnë se kanë 26 paga pa marrë dhe madje gjykata u ka dhënë të drejtë por kompania nuk respekton vendimin.

/NOA.al