Sheshi “Shqiponja” katër muaj do të jetë i mbyllur, kaosi nuk ka të sosur në rrugët e Tiranës
Transmetuar më 24-10-2020, 14:10

Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policia kanë prezantuar planin e menaxhimit të trafikut për shkak të punimeve që po kryhen tek Unaza e Madhe në kryeqytet. Sipas tyre përmbyllja e kësaj faze do të zgjasë 4 muaj, dhe kërkon sakrificë e mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve për të arritur, që kjo nyje të përballojë mbi 45 mijë mjete në ditë dhe të mos ketë më bllokim.

“Është faza 3, më e rëndësishme e këtij projekti që na duhen 4 muaj sfidë, sakrificë për të arritur që kjo nyje të përballojë mbi 45 mijë mjete në ditë, që të mos kemi më bllokim në këtë nyje. Drejtuesit e mjeteve të na mirëkuptojnë. Koha fizike e kontratës është 25%, dinamika e ecurisë së projektit do të na japë rezultate të mira që për 3-4 muaj ta përfundojmë këtë fazë”.

Dalja nga Tirana (Drejtimi Tiranë-Durrës):

Rruga Dritan Hoxha qaset vetëm me një korsi vajtje; Ndalohet kthimi majtas për në rrugën Teodor Keko (Astiri); Qasja drejt autostradës bëhet duke kaluar në të djathtë krah bankës Credins; Rruga Teodor Keko drejt ish-sheshit Shqiponja devijohet në një korsi; Ndalohet qasja nga rruga Teodor Keko i rrugëve Dritan Hoxha (djathtas) dhe Vangjel Noti (drejt)

*Korsia blu me drejtim të lëvizjes lindje-perëndim.

Dalja nga Tirana në ish-sheshin Shqiponja.

Hyrja në Tiranë (Drejtimi Durrës-Tiranë):

Rruga nga mbikalimi drejt ish-sheshit Shqiponja ngushtohet dhe vijohet djathtas nga rruga Teodor Keko në pjesën ku IKMT ka shembur ndërtesat e banorëve; Ndalohet qasja drejt rrugës Dritan Hoxha (drejt) dhe Vangjel Noti (majtas); Qasja në rrugën Dritan Hoxha do të bëhet nga rruga Abedin Rexha dhe rrugicat e ish-fushës së Aviacionit;

*Korsia blu me drejtim të lëvizjes perëndim-lindje.Hyrja për në Tiranë nga ish-sheshi Shqiponja

Një tjetër problematikë që do t’i jepet zgjidhje në 3 javët e ardhshme është qarkullimi i ambulancave, për të cilat kreu i ARRSH-së se do të krijohet rrugë aksesi.

“Janë marrë masa që të mos ketë bllokime dhe duke i dhënë prioritet mjeteve të emergjencës nga të dyja drejtimet. Do të adresojmë problematikat. Fluksi i ambulancat drejt spitalit të Traumës është 200 mjete në ditë dhe në 3 javët e ardhsme do të krijojmë rrugë aksesi vetëm për to”.

Kreu i ARRSH sqaroi se drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Veriu duhet të përdorin urën e Babrroit, ndërsa ata nga Jugu do të kalojnë përdorin rrugën Tiranë-Elbasan dhe ata që vijnë nga Kavaja të përdorin rrugën e Ndroqit.