Transmetuar më 29-10-2020, 23:46

Pandemia Covid-19 që ka pushtuar botën dhe deri tani ka marrë mbi 1.1 milion jetë njerëzish, ka rikthyer në Itali frikën e përsëritjes së situatës kritike që ky vend kaloi në muajt mars-maj.

Por Italia e ka ende të freskët atë që ndodhi 50 vjet më parë. Në dimrin e 1969-1970, Italia u godit nga një epidemi e rëndë gripi. Një në katër italianë u infektua, gjithsej 13 milionë njerëz.

Spitalet pësuan kolaps duke u tejmbushur dhe raportet e mediave atëherë njoftonin për 20 mijë të vdekur.

Sikundër shikoni në videon e mëposhtme një pjesë të edicionit të lajmeve në Rai, epidemia zbrazi rrugët e dyqanet dhe krijoi situatë shqetësuese, por jo aq sa të futej vendi në lockdown.

Epidemia e gripit edhe atëherë erdhi nga Azia. Virusi nisi më 1968 në Hong Kong dhe u përhap në botë disa muaj më pas. Dy milionë njerëz vdiqën nga kjo epidemi.

Gazeta Times në Londër ishte e para që njoftoi publikun se nga kolonia kineze po përhapej një virus vrasës. Ai përfshiu fuqishëm SHBA dhe Europën.

Giovanni Maga, drejtor i Institutit të Gjenetikës Molekulare në Këshillin Kombëtar të Kërkimit Shkencor në Pavia, thotë se kjo pandemi ishte e treta pas gripit spanjoll më 1918 dhe gripit aziatik të viteve ’50.

Ai thekson se më 1968 qarkulloi virusi i gripit A-H3N2, i njëjti që qarkullon edhe sot në çdo sezon gripi. /e.k/noa.al/