Transmetuar më 10-11-2020, 10:33

Kur bie fjala për Kosovën apo të drejtat e shqiptarëve atje, Joe Biden gjithnjë ka qenë një zë i fuqishëm në mbrojtje të tyre. Presidenti i zgjedhur i Amerikës nuk e ka fshehur kurrë simpatinë për shqiptarët, madje duke u përballur edhe me personazhe politike që kanë tentuar të ndryshojnë rrjedhën e historisë.

Një debat të tillë, thuhet se Biden e ka patur edhe me ish-presidentin serb, Slobodan Milosheviç. Në librin e tij të kujtimeve “Promises to keep”, ndër të tjera shkruhet se ai u takua me “Kasapin e Ballkanit”, ish-presidentin serb Sllobodan Millosheviç në vitin 1993, ku ndër të tjera i tha: “Unë mendoj se ju jeni një kriminel lufte i mallkuar dhe duhet të gjykoheni si i tillë”.

Në vitin 2008, ndihmësi i Biden, John Ritch tha se nuk e mbante mend një deklaratë kaq të hapur, ndërsa tentoi ta ‘zbuste’ disi”. “Legjenda rritet. Por Biden sigurisht e futi në bisedë konceptin se Milosheviqi ishte një kriminel lufte. Milosheviqi reagoi me gjakftohtësi“, tha ai.

Mes të tjerash, Biden ishte një ndër mbështetësit kryesorë pro ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, ka qenë pro bombardimit të Serbisë dhe është shprehur në favor të pavarësisë së Kosovës, para se ato të bësheshin realitet.

Në vitin 1998, gjatë një debati në senatin amerikan, Joe Biden mbajti një fjalim për konfliktin në Kosovë,  Edhe në vitin 2009, një vit pas shpalljes së Pavarësisë, Biden do të vizitonte Kosovën ku ndër të tjera do të shprehej: “Ju falenderoj për mikpritjen. Është një privilegj qe jam në vendin tuaj edhe pse kam ardhur pak me vonesë më lejoni të uroj ditëlindjen, 1 vjetorin e Pavarësisë".

Pak para zgjedhjes së tij si president i SHBA, 77-vjeçari ishte shprehur se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur dhe jo pjesë e Serbisë. “Nuk e di cila është marrëveshja. Ajo ç’ka mund të them në lidhje me Kosovën dhe Serbinë, është se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur, jo pjesë e Serbisë”,  tha ai

Edhe gjatë një takimi me ish-presidentin, tashmë të dorëhequr, Hashim Thaçi në SHBA, Biden e cilësoi këtë të fundit, si "Xhorxh Uashingtonin" e Kosovës. /E.A/NOA/