Transmetuar më 11-11-2020, 01:19

Ministria e Shëndetësisë gënjen kur thotë se të dhënat ditore që publikon, i përkasin 24 orëve të fundit. Në të vërtetë ato janë të 2, 5 deri 7 ditëve më herët dhe jo të një dite më parë.

Noa.al ka zbuluar fakte që tregojnë se të dhënat që nxjerr Ministria e Shëndetësisë janë gënjeshtër kur bëhet fjalë për afate kohore.

Në komunikatën e datës 8 nëntor, njoftohet vdekja e një gruaje. Sipas njoftimit, "24 orët e fundit… vdiq një 59 vjeçare nga Lushnja…".

Faktet flasin ndryshe. S.B. 59 vjeçe nga Lushnja, vdiq të enjten më 5 nëntor në spitalin Infektiv që quhet Covid 1 dhe jo më 7 apo 8 nëntor.

Familjarët pohojnë se e ndjera u varros të nesërmen më 6 nëntor.

Lind pyetja: Përse gënjen Ministria e Shëndetësisë?

Sakaq, një kaos të dhënash vjen nga testimet. Zyrtarisht në njoftimet ditore thuhet se shifrat e testimeve i përkasin 24 orëve të fundit.

E vërteta qëndron ndryshe dhe qartësisht edhe këtu, Ministria e Shëndetësisë gënjen.

Tamponët që bëhen dhe përgjigjet e tyre nuk korrespondojnë me të njëjtën ditë. Kështu nëse të hënën janë bërë 2 mijë tamponë dhe kanë dalë 525 të infektuar,  shifrat nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Shumë e thjeshtë, përgjigjet e tamponëve vijnë për ditë të tëra!

Mjeku i Urgjencës Kombëtare, Ilir Allkja, evidenton pikërisht këtë fakt, që raportimet ditore për Covid nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë aktuale dhe nuk tregojnë një panoramë të 24 orëve të fundit.

Nisur nga fakti se përgjigjia e tamponit po kërkon 7-10 ditë kohë, ai thotë se edhe shifrat alarmuese të kësaj të marte janë të një jave apo 10 ditëve më parë.

Ilir Allkja: Numri i raportuar nuk është real jo vetëm në Shqipëri por edhe në vende me sistem të përparuar dhe të zhvilluar shëndetësor. Numri i infektimeve që janë raportuar sot nuk janë të ditës së sotme dhe as të ditës së djeshme, janë të para një jave ose të 10 ditëve më parë. Përderisa rezultati i testimeve zgjat 7-10 ditë do të thotë se rezultatet që kanë dalë sot nuk janë të ditëve të fundit. Kjo konfirmohet lehtë. Shumë të sëmurëve dhe të dyshuarve iu mohohet testimi, nuk bëhen mjaftueshëm. Nuk testohen për shumë arsye që nga burokracitë deri te stigma. Ka njerëz që ende e kanë për turp të deklarohen se janë prekur nga virusi. Kur realisht kushdo mund të preket dhe sëmuret".

Sakaq, ka dhe plot mistere të tjera që lidhen me Covidin, mbi të gjitha për numrin e vdekjeve ditore. /noa.al/