Transmetuar më 11-11-2020, 13:10

Shtatë komuna të Kosovës pritet të futen në karantinë nga dita e premte. Lajmin e ka njoftuar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, teksa ka thënë se nga ora 19:00 në këto komuna do të ketë edhe orë policore për qytetarët.

Komunat me këtë vendim do të jenë: Prishtina, Podujeva, Mitrovica, Peja, Gjakova, Gjilani, Ferizaj, raporton Koha.net.

Në këto komuna, qendrave tregtare dhe veprimtarive të hotelerisë dhe restoranteve u lejohet veprimtaria nga ora 05:00 deri në ora 20:00. Ndërsa bizneset lejohen që të ushtrojnë veprimtarinë e tyre nga ora 05:00 deri në orën 18:00.

Hoti ka folur për një varg masash që do të merren për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Ai tha se situata me pandeminë është tepër e rëndë, duke u shprehur se projeksionet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë tejet pesimiste.

“Situata është tepër e rëndë, ne kemi përgatitur të dhënat konkrete që t’i shohin të gjithë qytetarët. Duke pas parasysh kapacitetet ne duhet të kujdesemi për masa me specifike. Testimet janë trefishuar në javët e fundit, numri i rasteve pozitive është rreth 1 në 3 që testohen, e ndonjëherë edhe deri në 50 për qind dalin pozitive. Edhe rastet fatale janë në rritje. Projeksionet e IKSHPK-së janë mjaft pesimisite”, ka thënë Hoti.