Transmetuar më 13-11-2020, 11:38

Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, njëkohësisht ish-deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi flet në një intervistë për  gazetën Standard mbi zgjedhjet e 25 prillit si edhe pritshmëritë e LSI-së dhe koalicionit të Opozitës së Bashkuar për to. Kërpaçi flet më gjerë për alternativën që ofron lSI për të rinjtë duke vënë në dukje planin e mirëmenduar për arsim cilësor dhe punësim duke mundësuar kështu ndaljen e emigrimit masive të të rinjve jashtë vendit.

LSI duket se ka ndezur fort motorrët elektoralë në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, ku takimet me bazën dhe qytetarët janë kthyer në ritual të përditshëm. Si e shihni situatën në Tiranë sa i përket mbështetjes ndaj programit dhe alternatives së LSI-së ? 

LSI ka një marrëdhënie të veçantë me njerëzit, me votuesit, me qytetarët dhe komunitetin. Kjo është arsyeja pse në 16 vitet e fundit, kjo forcë është e vetmja që ka rritur numrin e mbështetësve në çdo zgjedhje. Një marrëdhënie që ndryshe nga përshkrimi juaj si ‘ndezje motorrësh elektorale’ mund të cilësohej më saktë si një rritje e ritmit të punës drejt fitores së 25 prillit.  Unë shoh një dëshirë të zjarrtë të qytetarëve të Tiranës për opozitarizëm, për ndryshim. Por jo vetëm, edhe në Durrës është e njëjta situatë. Edhe në Fier, Elbasan, Lezhë, Korçë dhe kudo ku kam shkuar.

Qytetarët e besojnë alternativën e LSI për ndryshim. Kjo më bën të ndihem optimiste pasi tregon që kemi ditur të dëgjojmë shqetësimet e qytetarëve dhe t’i ofrojmë zgjidhjen që ata kanë nevojë, por edhe sepse në kushtet e një klime mungese besimi tek politika në përgjithësi, qytetarët gjejnë tek LSI vlerat që ata presin të shohin tek përfaqësimi publik si dhe një vend ku mund të lidhin një marrëdhënie të besueshme për të investuar tek ndryshimi i Shqipërisë.

Alternativa jonë e punësimit të mirëpaguar dhe mbështetjes së të rinjve që emigrimi të mos jetë më zgjidhje, por Shqipëria të jetë shtëpia e shqiptarëve me punë dhe dinjitet po shton mbështetësit e saj çdo ditë e më shumë. Ka entuziazëm dhe do vijojë puna për të mbledhur çdo mbështetje dhe energji në realizimin e këtij vizioni pas 25 Prillit.

Një ndër prioritetet e programit të LSI-së duket se janë të rinjtë. Cilat janë piketat e programit tuaj sa i përket të rinjve? Si do të mundësoni ndaljen e emigrimit masive të tyre jashtë vendit?

E ardhmja e një vendi duket në fytyrat e të rinjve të saj. Nëse ikin të rinjtë nga Shqipëria, bashkë me ta ikën edhe potenciali për zhvillim i vendit. Ndaj dhe shpopullimi i nxitur nga keqqeverisja është sulmuar kaq fortë nga ne, sepse godet në zemër vendin. Të gjithë duhet të zgjohen dhe të kuptojmë se nëse ky vend shpopullohet, të gjitha propozimet politike që në letër mund të tingëllojnë shumë bukur bëhen të pavlefshme.

Angazhimi ynë edhe në programin tonë është fokusimi i krijimit të mundësive për të rinjtë që të ndërtojnë jetën këtu. LSI është partia e të rinjve dhe me programin tonë që synon Arsim cilësor që lidhet me tregun e punës ne synojmë të rikthejmë shpresën dhe besimin te çdo i ri dhe e re e vendit për të kontribuar në vendin tonë. Me programin ‘Mëso dhe Fito’, studentëve do t’u krijohet mundësia të angazhohen në një punë për të fituar të ardhura për të mbajtur veten gjatë studimeve.

Çdo gjë nis me krijimin e mundësive të punësimit të mirëpaguar, pra që të mos kemi më shfrytëzim të krahut të punës pa afrimin e nivelit të pagave me ato të vendeve të rajonit dhe të Evropës, e duke vazhduar me rritjen e cilësisë së arsimit apo mbështetjes për krijimin e familjeve të reja.

Si e shihni garën e 25 prillit? A ka sigurinë Opozita e Bashkuar se edhe me Kodin e ri Zgjedhor, do të mundë të vijë në pushtet? 

Jam e bindur se 25 prilli do të jetë fitore e jashtëzakonshme për Shqipërinë, për rininë, për të ardhmen Evropiane të vendit tonë. Besoj ju jeni njohur me deklaratën e kryetares së LSI ku në bazë të llogaritjeve Opozita e Bashkuar del nga 25 prilli me 100 mandate. Kjo besoj i përgjigjet pyetjes tuaj dhe nuk ka dyshim për këtë. Personalisht mendoj se Edi Rama do të vijojë të miratojë ligje antikushtetuese me shpresën se do të ndalojë ndryshimin, por nuk do të arrijë dot.

Në këto zgjedhje nuk po garohet thjesht për pushtet por për ndryshim cilësor të gjendjes në Shqipëri. 25 Prilli ndan nëse Shqipëria vijon trajtohet si pronë personale e pushtetarëve apo do t’i jepet një shans krijimit të një kulture të re politike dhe filozofie të re drejtimi që kujdeset për njerëzit. Ky është dhe fokusi im si e re e angazhuar në politikë, që vendi ynë të jetë ndryshe. Mbi të gjitha, pas 25 Prillit në Shqipëri duhet të ketë shpresë, të ketë punë dhe mirëqenie në vend të ofertës së qeverisjes aktuale që është ajo e emigrimit dhe pasigurisë.

Ndërkaq LSI ka denoncuar procesin e rindërtimit të banesave në zonën e Kombinatit, ku keni akuzuar qeverinë dhe bashkinë se po abuzon me pronat e këtyre banorëve. Ju gjithashtu u keni ofruar banorëve një kontratë, ku sipas jush ajo duhet të lidhet mes banorëve dhe Bashkisë së Tiranës. Cila është problematika e kësaj çështjeje dhe ku konsiston kontrata që ju ofroni? 

Nuk ka shembull më të mirë se Kombinati për të kuptuar se si projekti i Rindërtimit në të vërtetë është projekti i mashtrimit të radhës. Në rastin e Kombinatit qeveria jo vetëm që nuk ka ofruar mbështetjen për banorët e prekur nga tërmeti, por siç na kanë shprehur shqetësimin banorët, ata rrezikohen të zhvendosen nga vendi ku kanë vite që jetojnë për tu strehuar diku tjetër në preferencë të Bashkisë. Banorët e Kombinatit që janë pronarë aty dhe ndër vite kanë punuar me mund e sakrifica për të mbajtur familjet, po flaken në mes të katër rrugëve pa qenë të sigurtë se çfarë do të bëhet me ta. Ndërkohë Bashkia e Tiranës nuk ka denjuar as ti presë banorët për dëgjesë sepse këta nuk i dëgjojnë qytetarët dhe vendimet i marrin në funksion të oligarkëve.

Pas studimit të problematikës dhe konsultimit me juristë të fushës, zgjidhja që ne i ofruam banorëve ishte një kontratë e cila është ndërmjet banorëve të kombinatit dhe bashkisë së tiranës, që ndërtimi i shtëpive të reja të bëhet përsëri aty ku ata janë, në Kombinat!

Po ashtu për ambientet e shërbimit që kanë qenë në katin e parë, pavarësisht statusit të tyre në çertifikatën e pronësisë si apartament, të gjitha ato ambjente shërbimi të cilat janë të pajisura me NIPT dhe kanë shërbyer si ambjente tregtare, pronarët e tyre të marrin të njëjtën sipërfaqe shërbimi dhe në ndërtesat e reja, po ashtu në Kombinat.

Një tjetër denoncim i fortë i LSI-së është edhe ai për shkollën “Sami Frashëri”, ku ju personalisht keni denoncuar në prokurori këtë çështje duke akuzuar se në kartelat e pronësisë së truallit të shkollës është ndërhyrë disa herë duke kaluar nga shteti në listë pronarësh dhe anasjellas. Çfarë mund të na thoni më shumë për këtë?

Kjo çështje i takon tashmë Prokurorisë që ta zbardhë dhe të gjithë presim veprimet e organit të akuzës. Nga faktet që ne kemi disponuar duket qartë se si një pronë publike që sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave të vitit 2017 duhet të figuronte në Hipotekë si pronë e Bashkisë Tiranë, ka figuruar në 2020 si pronësi e një ‘liste bashkëpronarësh’. Për më tepër hetimet duhet të zbulojnë për qytetarët çfarë ka ndodhur nga fillimi me këtë histori të mbuluar nga hijet e dyshimit. Pyetjet që shtrohen janë kush janë personat që kanë ndërhyrë në sistem dhe me çfarë qëllimi kanë ndërhyrë?

LSI gjithmonë do të thotë të vërtetën dhe vetëm pas deklaratave të kryetares së LSI, shpëtuam shkollën Sami Frashëri dhe të njëjtën gjë do të bëjmë edhe për banorët e kombinatit, vorës, shijakut, durrësit e në të gjithë Shqipërinë. Qeveria e oligarkëve dhe e propagandës nuk mund të vjedhi pronat e qytetarëve dhe as ti tjetërsoj për interesat personale.