Transmetuar më 17-11-2020, 17:47

Është rishfaqur sot nga nostalgjikët gjatë ceremonisë për 76-vjetorin e Çlirimit të Tiranës portreti i Enver Hoxhës, si dhe parullat komuniste të kohës së diktaturës.

Homazhet në nder të atyre që sakrifikuan jetën për çlirimin e vendit u mbajtën pranë Ushtarit të Panjohur, ceremoni, ku mbajti fjalën edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, më pas edhe Presidenti Ilir Meta.

Edhe veteranët dhe nostalgjikë të kohës së komunizmit marshuan drejt Ushtarit të Panjohur, duke mbajtur në dorë banderolën: “Rroftë Partia Komuniste Shqiptare”, ndërsa ata përshëndesnin sipas simbolit të tyre; me grusht.

Nostalgjikët kishin përgatitur një buqetë në formë ylli me trëndafila të kuq, ndërsa nuk munguan as fotot e diktatorit Enver Hoxha dhe parrullat e dikurshme.

Debati mbi çështjen nëse duhen dënuar apo jo manifestime të tilla duket se ka qenë i kotë, sepse 30 vite pas rënies së komunizmit, Enver Hoxha vazhdon të nderohet në mes të kryeqytetit./a.m/NOA.al