Transmetuar më 18-11-2020, 12:52

Avokatët mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së në Kosovë, nuk janë dakord me propozimin e prokurores speciale, që gjykimi ndaj klientëve të tyre, të nisë në verën e vitit 2021. Sipas tyre, gjykimi nuk duhet të nisë para qershorit të vitit 2022.

Ben Emmerson avokati mbrojtës i ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se gjykimi nuk mund të nisë para verës sëë vitit 2022.

“Gjykimi nuk mund të fillojë para qershorit 2022, kjo është data më e hershme që mund të fillojë gjykimi”, tha Emmerson.

Lidhur me çështjen se sa do të zgjasë procedura e gjykimit, Emmerson tha se kjo mund të marrë kohë prej 18 muaj deri në dy vjet.

“Sa i përket, sesa kohë do të zgjasë gjyqi, duke pasur parasysh se kemi rreth 200 dëshmitarë dhe flitet për rreth 100 incidente në pothuajse tërë territorin e Kosovës, gjykimi mund të zgjasë nga 18-muaj deri në dy vite”, tha Emmerson.

Po ashtu edhe avokati mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, David Hooper, ka kërkuar nga Gjykata Speciale që gjykimi i palëve nuk duhet të fillojë në verën e vitit 2021.

“Në lidhje me çështjen që po trajtojmë dhe me komentin e fundit, ‘se nuk do të jetë një befasi’, të gjithë nuk kemi filluar me trajtimin e çështjes në kohën kur ka nisur punën edhe prokuroria. Prokuroria ka kryer hetime të gjata mbi pesë vjet dhe ka pasur në dispozicion materiale edhe nga hetimet tjera. Prokuroria i ka kryer hetimet e tjera para fillimit të COVID-19. Duhet të merret parasysh që jemi në kohë COVID-i dhe na duhet 18 muaj për të filluar të mendojmë për fillimin e gjykimit. Është absolutisht absurd fillimi i gjykimit në shtator, ndoshta një vit më pas e jo vitin e ardhshëm”, ka thënë ai.

Ai po ashtu theksoi se edhe redaktimet e aktakuzës nuk janë në formatin e duhur, pasi në disa raste nuk jepet dita dhe data e rasteve.

“Këto vlerësime të afërta janë diskutuar dhe me kolegët e tjerë. Kur ke përpara një aktakuzë që është e redaktuar në një fjali, ku nuk jepet dita dhe data, ky nuk është një format i duhur, redaktimi duhet të jetë në një shkallë më të vogël dhe materiali duhet të jetë i hapur për mbrojtjen”, ka thënë ndër të Hooper.

Mbi 4 ish- luftëtarët e UÇK (Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi), rëndojnë 10 akuza, për përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, aktet të tjera ç’njerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje si krim kundër njerëzimit, vrasje të paligjshme, si krime lufte, zhdukje me forcë të personave, në periudhën mes prillit 1998 dhe gushtit 1991. /e.a/noa.al/