Transmetuar më 19-11-2020, 20:18

Nga Mentor KIKIA

Veri iku, ndërsa neve na mbeti Llapa

Një njeri u nda nga jeta sot. Quhej Enver Veseli, por veç të afërmëve, të gjithë të tjerët e njihnin si Ver Llapa. Nuk i binte askujt më qafë, qëndronte në anë të rrugës, e disa herë edhe mes makinave, tek 21 Dhjetori.

Vdekja e tij u bë lajm sot në të gjithë mediat sociale. Lexova shumë dedikime të ndjera, prekëse, të dhimbshme, për një njeri të mirë që madje i “nxirrte llapën këtij realiteti të ndyrë”. Vdekja e tij u bë lajm sepse Veri ishte një personazh publik. Në fakt ai nuk kishte bërë asgjë për të qenë i tillë, por ne të tjerët e kishim bërë një “hero”.

Mjafton një kërkim i thjeshtë në rrjet dhe do të shikoni se sa shumë fotomontazhe të Verit ka, me Berishën, Ramën, Metën e të tjerë poshtë tyre. Do të shikoni se sa shumë ofendime aderesojnë politikanët ndaj njëri-tjeterit, duke përdorur si njësi ofendimi pikërisht Verin.

Berisha si Ver Llapa

Rama si Ver Llapa

Talundat Balla si Ver Llapa

Ilir Meta si Ver Llapa

Pak kush ndër ata që janë sot në majat e politikës ka mbetur pa u ofenduar dhe pa ofenduar, përmes këtij njeriu që as kishte bërë gjë, as dinte gjë se çfarë bëhej me të.

Veri ishte bërë etaloni i budallallëkut, i injorancës, i përbuzjes, i ofendimit, sharjes. Politikanë, gazetarë, njerëz të ditur e të paditur, e përdornin epitetin “Ver Llapa” për të ofenduar këdo që nuk mendonte apo vepronte si ai.

Socialistët qeshnin kur Berishës i bënin një gjuhë të madhe, e i thonin: Versioni i ri i Ver Llapës. Po kështu demokratët, kur “llapën” e Verit ia montonin Ramës. Ata që nuk qeshnin, thjeshtë heshtinin. Heshtnin edhe ata që të nxjerrin sytë nëse guxon të ofendosh dikë për shkak të orientimit seksual, ata që ulërasin për të drejtat e njeriut, për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara etj etj.

Tani Veri nuk do të jetë më tek hekurat ndarës të rrugës tek 21 Dhjetori. Ndërsa në rrjet do të vazhdojë të jetojë hipokrizina e një shoqërie të tërë llapaqene, e pafytyrë, pa moral që e përdor dhe shpërdor një njeri fatkeq pa pikën e turpit.

Veri iku tani, ndërsa neve na mbeti Llapa.

Një Llapë ku ne duhet të shikohemi në pasqyrë, për të parë se sa të shëmtuar e të pashpirt jemi./a.m/NOA.al