Transmetuar më 20-11-2020, 18:32

Nuk është hera e parë që ndodh një rast i tillë, i rëndë për periudhën që po kalojmë dhe rrezikun që shfaq sëmundja.

Trupi i pajetë i një gruaje 65 vjeçare, e cila ka vdekur ditën e djeshme në Klinikën e Nefrologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, nuk është larguar deri në orët e hershme të ditës së sotme.

Viktima dyshohej se ishte e infektuar me virusin Covid-19, dhe kishte vdekur rreth orës 00:00, derisa trupi i saj është larguar nga klinika në orën 6 të mëngjesit.

Nga zyra për informim në SHSKUK është thënë se kufoma e 65 vjeçares ka qëndruar në një vend të caktuar në klinikë derisa janë kryer procedurat e nevojshme nga kompania për transportin e kufomave.

“Ju informojmë se kufoma ka qëndruar në një vend të caktuar në klinikë derisa janë kryer procedurat e nevojshme nga Qendra Operative dhe kompania e kontraktuar nga ShSKUK për transport të kufomave”, thanë ata.

Nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës janë distancuar nga përgjegjësia për këtë rast.

Ky nuk është rasti i vetëm, kur trupat e personave të pajetë qëndrojnë me orë të tëra në instituticonet publike shëndetësore në vend.

Edhe trupi i pajetë i një 84-vjeçari kishte qëndruar për gati 6 orë në dhomën e njëjtë me pacientët e tjerë në këtë spital.

I ndjeri pasi kishte vdekur, kishte rezultuar pozitiv me virusin Covid-19. Familjarët e tij ishin shprehur të dëshpëruar për shkak të pamundësisë që ta marrin kufomën për t’i kryer procedurat e varrimit./a.m/NOA.al