Transmetuar më 20-11-2020, 19:46

Durim e Suada Hadri u gjetën të vrarë në shtëpinë e tyre në Ortakoll të Prizrenit në fund të janarit të këtij viti.

Çifti kishte vite që jetonin e punonin në Suedi, teksa në Kosovë kishin ardhur për pushime.

Vrasjen e çiftit me shtetësi suedeze dyshohet se e kreu djali i tyre, Adriatiku, i cili iku menjëherë nga Kosova. Ai ishte arrestuar më pas në Suedi, në fillim të marsit.

Në Suedi do të zhvillohet gjykimi për të. Autoritetet kosovare e kanë transferuar procedurën penale ndaj tij në shtetin suedez para më shumë se tetë muajsh.

Prokurori që po heton ngjarjen në Suedi, Olof Calmvik, ka thënë se gjykimi për këtë rast nuk ka filluar ende, por pritet që ta dërgohet rasti në gjykatë mes dhjetorit e janarit.

E për motivin që dyshohet se e ka shtyrë A. Hadrin që t’i vrasë prindërit, Calmvik nuk ka pranuar të jap hollësi në këtë fazë të hetimit.

“Hetimi tani është rishikuar nga i dyshuari dhe avokati i tij dhe ne presim që rastin ta dërgojmë në gjykatë dikur mes dhjetorit dhe janarit. Prandaj, gjykimi nuk ka filluar ende. Ne nuk mund të futemi në hollësi sa i përket motivit në këtë fazë të hetimit”, ka deklaruar Calmvik.

Nga Suedia autoritetet kanë përgëzuar prokurorët dhe policinë e Prizrenit për punën e bërë, çka do të thotë se ngjarja është zbardhur.

“Ne gjithashtu do të donim të themi se kemi marrë shumë ndihmë nga prokurorët dhe policia në Prizren, të cilët kanë bërë një punë të mrekullueshme në këtë rast”, thuhet në përgjigjet e prokurorit drejtuar Gazetës Express.

Procedura penale ndaj Hadrit është transferuar në Suedi, si shkak i pamundësisë që të ekstradohet në Kosovë.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti, i kishte thënë Gazetës Express se në mungesë të ndonjë marrëveshje për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në mes të Republikës së Kosovës, autoritetet suedeze i kanë njoftuar se ekstradimi i djalit të çifti Hadri nuk është i mundshëm.

“Duke qenë se i pandehuri në fjalë është shtetas suedez dhe se në mungesë të ndonjë marrëveshjeje dypalëshe të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, respektivisht ekstradimit në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Suedisë dhe se autoritetet suedeze në bazë të legjislacionit të tyre në fuqi nuk lejojnë ekstradimin për shtetasit e tyre, atëherë dhe na kanë njoftuar paraprakisht se ekstradimi eventual i të pandehurit nuk është i mundshëm për shkak të këtyre pengesave procedurale’, ka thënë Mehmeti./a.m/NOA.al