Transmetuar më 21-11-2020, 11:45

Covid-19 i merr jetën ish-futbollistit të njohur lezhjan Nikolin Lorenci

Humb betejën me Covid 19  ish-futbollisti i njohur lezhjan Nikolin Lorenci.

Ai ka qenë prej disa ditësh i shtruar në spitalin Infektiv në Tiranë, ku gjendja është përkeqësuar.

Ish-futbollisti ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm.

Lorenci ka lindur me 13 Dhjetor 1949 në Lezhë. Nikolin Lorenci e ka veshur zyrtarisht fanellën e Besëlidhjes në maj të vitit 1965 në ndeshjen Butrinti- Beselidhja dhe që nga ajo kohë e deri në fund të sezonit 1978-79 nuk i është ndarë fushës së  blertë duke thyer  një rekord  si titullar, pasi  nuk ka munguar në asnjë ndeshje.

Nikolin Lorenci si futbollist  me fanellën e Besëlidhjes ka luajtur në 5 sezone: 1970-71,  1972- 73, 1973- 74, 1974- 75, dhe 1978- -79. Pasi ka lënë futbollin Nikolin Lorenci, nuk i është ndarë fushës së blertë, pasi më vonë ka shërbyer si trajner i Besëlidhjes, si shef i sportklubit dhe si drejtor sportiv në akademitë private te futbollit ne Lezhe, “Brians” dhe  “Porto” (“Shënkolli).

Me 4 dhjetor 2018 këshilli bashkiak i Lezhës Nikolin Lorencin për kontributet e tij e shpall “Qytetar Nderi” të Bashkisë. Më herët Nikolin Lorenci ka marrë dhe titullin “Mjeshtër Sporti”./a.m/NOA.al