Krahu i djathtë i Ramës akuzon Metën, Bashën dhe Kryemadhin se kanë thyer xhamat e një klinike
Transmetuar më 21-11-2020, 17:09

Qendra shëndetësore e lagjes Skënderbeu, njohur si Fushë Mbret në Elbasan, është goditur me gurë, të cilët kanë thyer xhama të disa dritareve. Deri tani nuk janë të qarta arsyet pse është qëlluar me gurë.

Në vendngjarje kanë shkuar dhe forcat e Policisë të cilat kanë ndaluar personat e dyshuar.

Megjithatë, ndërsa policia tha se po kërkon të kapë ndonjë autor të goditjes së xhamave, Taulant Balla, kryetar i Grupit Parlamentar i PS Taulant Balla, akuzon Presidentin dhe liderët e opozitës si autorë inspirues të thyerjes së xhamave.

"Mjaftojnë thirrjet e 2-3 politikanëve, personifikim i së keqes që të motivojnë njerëz të papërgjegjshëm, të cilët marrin guximin dhe godasin me gurë qendrën shëndetësore e cila u vjen në ndihmë të gjithë banorëve të kësaj zone.

Prandaj, i bëj thirrje Lulzim Bashës, Ilir Metës, Sali Berishës, Monika Kryemadhit të heqin dorë nga balta kundër bluzave të bardha në këto ditë të vështira.

Por ndërsa Balla gjente autorët, policia njoftoi se e kishte kapur djaloshin që kishte thyer xhamat.

Zyrtarisht, policia e Elbasanit njoftoi pasditen e së dielës se, proceduan në gjendje të lirë për veprën penale "Shkatërim i pronës" shtetasin A.B., banues në Elbasan.

I riu akuzohet se sot rreth orës 12:00, ka goditur me gurë dritaret duke thyer xhamat e Qendrës Shëndetësore në lagjen "Skënderbej", Elbasan.

Lind pyetja: Çfarë tha ky i dyshuar. A e vërtetoi deklaratën e Ballës se është nxitur nga Presidenti dhe krerët e opozitës?

Një pyetje me vend, në kushtet kur politizimi katandiset të bëhet edhe te një xham i thyer.