Transmetuar më 21-11-2020, 21:02

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, komentoi sonte deklaratën e Ramës duke vlerësuar se kryeministri vazhdon të gënjejë dhe t’i ikë përgjegjësisë dhe se gënjeu në lidhje me numrat e viktimave.

Në daljen e sotme publike, Rama nuk u kundërpërgjigj me asnjë provë kundër, duke u mjaftuar të thotë se bëhet fjalë për shpifje e njëkohësisht vlerësoi lart mjekët e spitaleve Covid.

Basha tha se "pasi i ka braktisur dhe i ka lënë pa asnjë mbështetje mjekët dhe infermierët në frontin e përballjes me pandeminë, Rama po i keqpërdor ata".

"Shqiptarët prisnin sot përgjigje. Por Rama vazhdon të gënjejë dhe t’i ikë përgjegjësisë. Ai ka gënjyer në lidhje me numrat e viktimave. Nuk janë shifra, por janë qytetarë, janë nëna, baballarë që kanë humbur jetën. Pasi i ka braktisur dhe i ka lënë pa asnjë mbështetje mjekët dhe infermierët në frontin e përballjes me pandeminë, ai po i keqpërdor ata."

Për kryetarin demokrat, mashtrimi me shifrat zyrtare është përgjegjësi e Ramës dhe jo e mjekëve, që po sakrifikojnë gjithçka në këtë betejë.

Duke përdorur sfond të ngjashëm me atë të Ramës në daljen e tij publike, Basha theksoi se Rama vazhdoi të gënjejë shqiptarët që sot prisnin përgjigje.

Këtu ai e sfidoi Ramën: "Nëse nuk ke asgjë për të fshehur, prano direkt një hetim të plotë të të gjithë informacioneve që jo mjekët, por ti, ke fshehur në lidhje me viktimat e COVID-19. Nëse nuk ke asgjë për të fshehur, prano direkt një hetim të plotë të të gjithë informacioneve që jo mjekët, por ti, ke fshehur në lidhje me viktimat e COVID-19. Boll u fshehe pas gënjeshtrave dhe sulmeve politike. Jepu përgjigje të vërteta qytetarëve të Shqipërisë."

Basha bëri një panoramë të zymtë të situatës: "Njerëzit po vdesin përditë. Spitalet po kolapsohen. Biznesi po falimenton. Varfëria dhe papunësia po rriten".

Dhe arriti në përfundimin se "në vend që të ndihmojë shqiptarët, në vend që të përballet me të vërtetën dhe realitetin, Rama vazhdon avazin e sulmeve politike dhe gënjeshtrave". /noa.al/