Transmetuar më 21-11-2020, 23:22

Bashkim Kopliku, ish- zëvendëskryeministër dhe ministër i Brendshëm i qeverisë së parë të Partisë Demokratike më 1992 dhe dy herë deputetë në parlamentin e Shqipërisë ndërroi jetë sot pas infektimit me Covid-19. Bashkim Kopliku i cili prej ditësh ishte i shtruar në spitalin e Durrësit, nuk ka mundur që të fitojë betejën me virusin vdekjeprurës.

Për vdekjen e tij ka reaguar edhe ish-deputeti demokrat, Astrit Patozi i cili shkruan se iku një "qytetar race".

Postimi i Patozit

IKU NJË QYTETAR RACE

Bashkim Koplikun nuk mbaj mend ta kem takuar ndonjëherë. Kur ai ishte politikan aktiv, unë bëja shkrime gazetash, ndërsa pas vitit 1997 ndërruam rolet. Por kjo nuk më ka penguar ta respekoj në distancë për angazhimin e vazhdueshëm atdhetar dhe qytetar, të cilin nuk e ndau deri në ditët e fundit të jetës. Edhe pse mund të mos kem qenë gjithmonë dakord me qëndrimet e tij, kam bindjen se Shqipëria humbi sot një burrë të përkushtuar dhe një politikan dinjitoz, nga ata, që përherë e më tepër në këtë vend, fatkeqësisht, po konsiderohen si racë në zhdukje./noa.al/