Transmetuar më 22-11-2020, 11:52

Kryeministri britanik Boris Johnson po përgatitet të konfirmojë lajmin se bllokimi për të frenuar përhapjen e koronavirusit në të gjithë Anglinë do të përfundojë në 2 dhjetor.

Pas një bllokimi dy javor në të gjithë vendin, Mbretëria e Bashkuar ka raportuar një rënie të ndjeshme si në rastet pozitive ashtu edhe në vdekjet e lidhura me koronavirusin. Kjo është dhe arsyeja pse Johnson synon të heqë "lockdown"-in kombëtar.

Në 24 orët e fundit, në Britani janë regjistruar 19.875 të infektuar, për një shifër totale që shkon në 1.493.383 persona.

Sa i përket vdekjeve, janë regjistruar 341 raste, për një total prej 54,626 persona që kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë.

Izolimi do të pasohet nga një kthim në një seri kufizimesh rajonale me tre nivele si pjesë e "Planit Dimëror Covid"  të qeverisë britanike. Njoftimi zyrtar duhet të bëhet të hënën.

Ndërkohë, infeksionet Covid-19 të regjistruara zyrtarisht në botë, që nga fillimi i pandemisë kanë tejkaluar shifrën 58 milionë persona, sipas të dhënave nga Universiteti Amerikan "Johns Hopkins".

Vdekjet, raportohet të jenë  mbi 1.37 milionë. Vendi më i prekur në terma absolutë, mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me më shumë se 12 milionë raste dhe pothuajse 256,000 vdekje. Pas SHBA-ve, vijnë India dhe Brazili. /e.a/noa.al/