Transmetuar më 23-11-2020, 08:09

Jetmir Rudi nga fshati Rud i Malishevës në Kosovë, ditën e shtunë u raportua se ishte zhdukur. Familjarët e tij kishin bërë denoncim në polici, ku edhe kishin kërkuar ndihmë për gjetjen e 28-vjeçarit.

Shtypi kosovar shkruan se Jetmir Rudi është rrëmbyer, pasi nga fotot e dërguara në redaksi të TV Malisheva, 28-vjeçari shihet i lidhur dhe i shtrirë në tokë pothuajse i zhveshur. Ai është gjetur nga familjarët e tij të dielën rreth orës 18:00.

28-vjeçari, për 25 orë nuk u bë i gjallë për familjarët, të cilët denoncuan në polici, vetëm në mëngjesin e të dielës, nisën kërkimet bashkë me policinë në zonat rreth fshatit Rud të Malishevës.

Pikërisht në këtë fshat ai u gjet, gjithnjë sipas familjarëve në gjendje të mirë shëndetësore, por pak i shqetësuar.

Njëri nga të afërmit e tij ka treguar për “Klan Kosova”, se ata dhe policët e kishin kërkuar në të njëjtën rrugë Jetmirin gjatë tërë ditës, por ai nuk ishte parë nga familjarët, prandaj  dyshojnë se dikush e ka sjellë më vonë aty.

Ndërkohë zyrtarët policorë nuk kanë arritur akoma ta marrin në pyetje Jetmir Rudin për të mësuar nëse ai vërtet është rrëmbyer dhe nëse ka detaje tjera nga zhdukja e tij. Aktualisht ai është duke u trajtuar në spital.