Transmetuar më 24-11-2020, 10:38

Gjatë një konference për mediat, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka zbuluar arsyen pse nuk është uruar fizikisht pas rikonfirmimit në krye të partisë nga presidenti Ilir Meta, njëkohësisht bashkëshorti i saj.

Gjithsesi, ajo ka pohuar se kreu i shtetit është kënaqur shumë kur e ka parë në fotografi nga mediat që Kryemadhi kishte vendosur maskë për t’u mbrojtur nga Covid 19.

Kryetarja e LSI-së, gjithnjë ka dalë kundër paralajmërimit të autoriteteve shëndetësore në vend për vendosjen e maskës në publik.

Ndryshe nga bashkëshorti i saj, Ilir Meta, i cili në konferencat për shtyp tregohet i kujdesshëm për të respektuar protokollin shëndetësor anti-Covid. Por këtë herë gjërat kanë ndryshuar.

"Kur kanë ardhur proces verbalet e Poliçanit dhe Skarparit, kanë qenë në fakt me emrin Monika Ramazan Kryemadhi dhe në kllapa Meta, – thotë ajo. – Në fakt presidenti nuk më ka uruar menjëherë, sepse ka qenë në Dibër të Madhe në Manastir në një aktivitet që zhvillohej atje. Por për një gjë ishte shumë i lumtur, që unë vendosa maskën gjatë procesit të votimit, ishte një arritje për të. Ka qenë shumë i kënaqur, atë foton me maskë ma dërgoi ai i pari, por është debat interesant, sepse unë maskën anti-Covid e vendosa nga që ma kërkuan drejtuesit e partisë dhe jo sepse e thotë Edi Rama".

Më pas, kryetarja e rikonfirmuar e LSI theksoi se, fakti që votimi u bë ‘online’ shtoi edhe numrin e pjesëmarrësve.

“Pjesëmarrja e të rinjve dhe të rejave në këtë proces nuk mund të them se ishte një nga bizhutë e këtij procesi, por ishte thelbi i tij. Pjesëmarrja e të rinjve dhe të rejave tregon energjinë e LSI, tregon që LSI është një parti që ecën me hap të shpejtë, rritet me hap të shpejtë dhe mbi të gjitha, ajo që është më e rëndësishme për të gjithë ne, është për të kuptuar që asnjë nuk mund të vegjetojë në LSI, por duhet të ecë me ritme të shpejta që të kapim sfidat që kanë të rinjtë dhe të rejat, fëmijët tanë. Kjo është pika kryesore e këtij procesi, unë po them një provë gjenerale e LSI për zgjedhjet e 25 prillit”, – përfundoi Kryemadhi. /e.a/noa.al/