Transmetuar më 24-11-2020, 12:26

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar një shfaqje të shëmtuar pjesëmarrjen e presidentit Ilir Meta dhe bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi në festën e ditëlindjes së aktorit Bes Kallaku pak ditë më parë.

Rama tha se është e papranueshme që kundërshtarët e tij politikë marrin pjesë në aktivitete të tilla, ku vendi po përballet me shifrat në rritje të Covid-19 dhe ku është e ndaluar të grumbullohen më shumë se 10 persona.

"Kam parë shembullin më skandaloz të shkeljes së ligjit nga Presidenti i Republikës, zonja e parë dhe çeta e tyre, që ndërkohë është shumë e qartë se nuk mund të ketë grumbullime me më shumë së 10 persona dhe nuk mund të bëhen festa dhe dasma deri edhe ceremonitë e dhimbshme mortore me shumë familjarë. Por ata na u shfaqen në një spektakël të pështirë, të karshillëkut, jo vetëm me ligjin, por me shëndetin e të tjerëve, këtë kam parë, – u shpreh Rama. – Shëndeti është mbi të gjitha dhe sot s’ka asnjë aktivitet tjetër, përfshirë aktivitete elektorale që mund të diskutohen si me ndonjë rëndësi që vë në diskutim shëndetin, për më tepër nuk jemi në fushatë elektorale, thjesht na duhet të reduktojmë aktivitetet me më shumë se 10 persona”, tha ai.

Policia e Tiranës pak ditë më parë, gjobiti me 1.000.000 lekë pronarin e lokalit ku po zhvillohej festa e ditëlindjes me 30 të ftuar në Laknas, duke arsyetuar se ishte thyer protokolli anti-Covid, ku lejohen vetëm 10 vetë. Lidhur me këtë ngjarje u pezulluan gjithashtu edhe 6 policë. /e.a/noa.al/