Transmetuar më 26-11-2020, 09:10

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka treguar se gjatë kohës kur ka qenë i akuzuar nga Gjykata e Hagës, është përballur në ambientet e burgut me ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviç.

Haradinaj, i cili është shpallur dy herë i pafajshëm nga Gjykata për Krime Lufte, rrëfen përballjet që ka pasur me "kasapin e Ballkanit" dhe shkëmbimet e batutave mes tyre. Për çfarë e pyeti dhe cila ishte përgjigja e njërit prej komandantëve të luftës së UÇK-së.

“E kam parë disa herë, kemi qenë në kate të ndryshme, unë kam qenë në katin e tretë, ai në katin e parë për shkak të moshës dhe afërsisë me sallat e punës për avokatët, por zakonisht kur kemi pasur vizita apo takime me avokatë, kemi shfrytëzuar të njëjtat hapësira të përbashkëta, – tha Haradinaj për emisionin "Ballkan". – Kemi folur dy tre herë. Herën e parë nuk e njoha, e kam parë në televizor, me kostum, aty e kishte lëshuar fort veten, kishte rënë për tokë, kishte tuta, një jelek si të peshkatarëve me shumë xhepa, mbi ato tutat dhe më foli në anglisht. Një anglishte të lodhur, më tha a je filani? Unë nuk e dija me kë po flas dhe ndalova, po e shihja dhe tha, unë jam Millosheviçi".

Më pas Haradinaj, shpjegon se në bisedën me Millosheviçin kanë folur për pak edhe për Kosovën.

"Tha, si po të duket këtu? Pyetja e parë që më bëri dhe ky ishte një farë cinizmi, që shyqyr që erdhe ti, i thashë, nuk e di, ju jeni më gjatë se unë…., si po kalon? Kuptohet, aty kishte edhe gardianë dhe personel dhe më tha e kupton vetë… Dy tre raste kam pasur që e kam takuar. Më tha si është puna atje poshtë, i thashë ku poshtë? Në Kosovë, i thashë jo mirë. Tha pse? I thashë kemi problem me europianët, ata duan të na bëjnë shtet, por multietnik, por edhe amerikanët, shumë probleme, tha pse? I thashë duan të na e bëjnë ushtrinë si të vetën, edhe kjo nuk i pëlqeu fare, kjo ka qenë hera e fundit që kemi komunikuar".

Haradinaj tregon se në burg ka takuar edhe Vojisllav Sheshelin (i dënuar për krime lufte), kreu i Partisë Radikale Serbe, i cili në periudhën e luftës ka qenë në krye të Armatës Popullore të Jugosllavisë. /e.a/noa.al/