Transmetuar më 26-11-2020, 10:23

Një vit nga tërmeti i 26 nëntorit që la pas 51 viktima në vend, kryeministri Edi Rama nuk ndodhet në Shqipëri për shkak të agjendës së tij.

Përveç se pritej që ai të ishte sot në Parlament për një interpelancë të kërkuar për situatën e pandemisë nga deputeti Ralf Gjoni, shefi i qeverisë kishte parashikuar madje edhe një konferencë për shtyp, duke u përqendruar më shumë te ngjarja tragjike e një viti më parë.

Rama është mjaftuar me një video-mesazh të publikuar në Facebook që në mëngjes, ku tregonte përjetimet e tij për tërmetin e 26 nëntorit dhe duke i kërkuar qytetarëve kohë për të bërë shtetin që meritojnë.

Ndërsa në interpelancën e sotme, ai do të zëvendësohet nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, burime mediatike bëjnë me dije se Rama dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj janë nisur në Dubai. Në fakt, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dhënë 70 milionë euro për rindërtimin në Shqipëri pas tërmetit të 26 nëntorit.

Ndërkohë, pak më herët, ish-kryeministri Sali Berisha "zbuloi" diçka. Në një postim në Facebook, ai shkruan se Edi Rama ka udhëtuar me charter privat drejt Abu Dhabit për të kryer vaksinën anti-COVID.

Teksa citon burimet e tij nga aeroporti i Rinasit, Berisha komenton se Rama ka fluturuar drejt Emirateve të Bashkuara Arabe me një charter privat që ka një kosto rreth 200 mijë euro.

“Një udhëtim me avion të madh si ky i Edvinit në dispozicion për në Abu Dabi shkon të paktën 200 mijë euro në një kohë kur në spitalet covid vdesin të sëmurë për mungesë oksigjeni“, shkruan ndër të tjera Berisha. /e.a/noa.al/