Transmetuar më 26-11-2020, 10:36

Ka nisur me një minutë heshtje seanca e sotme plenare në Kuvend, me kërkesë të kryeparlamentarit Gramoz Ruçi në nder të viktimave të tërmetit tragjik të një viti më parë.

“Zonja dhe zotërinj deputetë. Si sot, një vit më parë, Shqipëria u godit nga tërmeti më i fuqishëm i dyzetë viteve të fundit. Durrësi, Thumana, Tirana, Laçi Lezha ishin zonat më të goditura. 51 jetë njerëzore u humbën dhe mbi tre mijë njerëz u plagosën. Disa mijëra familje mbetën të pastreha. Në shenjë dhimbjeje e respekti për 51 qytetarët që humbën jetën nga tërmeti, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje. Pushofshin në paqe!”, u shpreh Ruçi.

Shqipëria u trondit një vit më parë nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.4 të shkallës rihter.

Tërmeti e kishte epiqendrën 10 kilometra nga Shijaku, 9 km në veri të Durrësit dhe 33km në perëndim të Tiranës. Bilanci i viktimave në fund ishte tragjik: 51 qytetarë humbën jetën. /e.a/noa.al/