Transmetuar më 27-11-2020, 18:28

Presidenti Ilir Meta i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë me 11 propozime për përballimin e situatës së koronavirusit në vend.

Propozimet e Presidentit Meta vijnë pak ditë pas takimit me një grup mjekësh.

Propozimet e Presidentit Meta:

Duhet të futen sa më shpejt në përdorim testet analitikë të shpejtë, për shkak të shkurtimit të kohës dhe të uljes së kostove. Ndërkohë, përdorimi i metodës së references PCR dhe testeve të shpejta të ecin paralelisht, për zbulimin sa më të shpejtë dhe të saktë të infektuarve dhe gjurmimin në kohë të tyre.

Duhet të futen menjëherë në funksion, spitalet rajonale, duke bërë edhe një decentralizim dhe rigrupim të tyre, në mënyrë që disa prej tyre të kthehen në spitale Covid dhe të tjerët t’ju shërbejnë pacientëve me sëmundje të tjera dhe të sëmurët të mos transportohen të gjithë në Tiranë.

Duhet të sigurohet aparatura ECMO për shpëtimin e jetës, për rastet e rënda të këtij infeksioni në spitalet tona.

Duhet të bëhet njësimi favorizues i çmimeve të testeve covid, për t’i hequr një barrë të rëndë ekonomike familjeve shqiptare si dhe duhet të shtohet numri i testimeve.

Të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet dhe potencialet njerëzore që kemi, përfshirë edhe ata mjekë e infermierë që nuk janë pjesë e shërbimit aktiv dhe janë në pension.

Të shpejtohen proçedurat e liçencimit të mjekëve, për të rritur numrin e tyre në shërbimin mjekësor.

Duhet një qasje multisektoriale në përballjen me pandeminë. Protokollet duhet të përditësohen dhe është shumë e rëndësishme të përfshihen edhe reanimatorët.

Nevojiten mekanizma koordinimi nëpër rrethe, që të mbledhin të dhënat, të vlerësojnë nevojat në rang kombëtar, veçanërisht për barna apo për oksigjen, në mënyrë që të mos kemi mungesa për asnjë moment.

Duhen kontrolluar barnat që qarkullojnë, sepse kemi disa prej tyre të paliçencuara dhe me një kosto disafish më të lartë nga çmimi fillestar. Duhet të kemi siguri në barnat që sillen dhe të ndalohet spekulimi me çmimet.

Duhet të ngrihen ekipe epidemiologjike, në nivel rajonal, për të ndjekur situatën epidemiologjike, sepse jo të njëjtat masa që duhen marrë në Tiranë, vlejnë edhe për qytete të tjera më të vogla dhe me më pak raste infeksioni.

Vendimet, që merren nga qeveria nepërmjet Komitetit Teknik të Ekspertëve, kanë të nevojshëm një argumentim të detajuar dhe bindës për opinion publik, në mënyrë që të sigurohet mbështetja masive e qytetarëve për to, në funksion të suksesit të këtyre masave, dhe jo thjesht imponimi përmes masave dhe dënimeve administrative./a.m/NOA.al