Transmetuar më 28-11-2020, 14:51

Personazhe të shumtë publikë kanë uruar sot në rrjete sociale Ditën e Flamurit dhe Festën e Pavarësisë, që ka bërë bashkë të gjithë shqiptarët.

Këtyre urimeve i është bashkuar edhe urimi i Ambasadores së SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim.

Në një postim në Twitter, Kim i është drejtuar shqiptarëve si miq të dashur, duke përgëzuar shpirtin kurajoz të Ismail Qemalit dhe Skënderbeut.

“Më 28 nëntor 1912 Ismail Qemali ngriti flamurin #kuqezi, duke e shpallur Shqipërinë të pavarur nga Perandoria Osmane. Jetë të gjatë Shqipërisë së Pavarur! Jetë të gjatë shpirtit kurajoz të Qemalit & Skënderbeut! Gëzuar Ditën e Pavarësisë, miq të dashur shqiptarë!”,- ka shkruar ajo në Twitter.

Më 28 nëntor 1443, heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e saj.

469 vite më vonë, më 28 nëntor 1912 (Nëntori i dytë), Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë duke ngritur flamurin në Vlorë.

/S. H   /NOA.al