Transmetuar më 29-11-2020, 10:29

Në 76-vjetorin e ditës së Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë, kryeministri Edi Rama, presidenti Ilir Meta dhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, kanë mbajtur homazhe në varrezat e Dëshmorëve.

Në homazhe ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Në ceremoninë e shkurtër që u mbajt, u vu re që nuk pati përshëndetje mes kryeministrit Rama dhe presidentit Meta.

E njëjta skenë u përsërit edhe dje në qytetin e Vlorës, ku Rama dhe Meta, në një distancë nga njëri-tjetri, nuk u përshëndetën pas ceremonisë së Festës së Pavarësisë.

Politika shqiptare e feston sërish e ndarë Ditën e Çlirimit të vendit, edhe pse 29 Nëntori është data zyrtare e kujtimit të kësaj dite.

Të majtët respektojnë 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë dhe 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit, ndërkohë që të djathtët i përkujtojnë të dy festat më 28 Nëntor. /e.a/noa.al/