Transmetuar më 30-11-2020, 08:04

Dy ekspertë të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për koronavirusin, siguruan amerikanët se vaksinat kundër pandemisë së shpejti do të bëhen të disponueshme, por paralajmëruan që mosmarrja e masave paraprake kundër përhapjes së virusit para asaj kohe, mund të jetë me pasoja katastrofike.

“Mendoj se do të kemi vaksina të mjaftueshme deri në fund të vitit për të imunizuar 20 milionë amerikanë. Por populli amerikan duhet të bëjë atë që duhet derisa ajo vaksinë të jetë e shpërndarë gjerësisht”, tha për CNN Admirali Brett Giroir, kreu i testimieve për virusin në Shtëpinë e Bardhë.

Admirali Giroir i cilësoi dy vaksina të mundshme, të cilat tani janë nën shqyrtimin e Administratës Amerikane për Ushqimin dhe Barnat, si “shpëtimtare për jetën”, duke shtuar se “kjo i jep fund pandemisë.”

Por deri atëherë, tha ai, “populli amerikan duhet të bëjë veprimet e duhura që ajo vaksinë të mund të shpërndahet gjerësisht, të mbajmë maskë, të shmangim hapësirat e mbushura me njerëz, të gjitha gjërat që i dini.”

Admirali Giroir tha se ai beson se do të ketë një “tranzicion të qetë, profesional” në trajtimin e shpërndarjes së vaksinave nga administrata e presidentit në largim Donald Trump tek ajo e presidentit të zgjedhur Joe Biden kur ai të betohet më 20 Janar, shkruan Voa.

Ndërkohë, Anthony Fauci, eksperti kryesor për sëmundjet infektive të vendit, tha se “ndihma po vjen” dhe se sasia fillestare e vaksinave mund të jetë e disponueshme nga mesi i dhjetorit.

Dr. Fauci tha se ekspertët e shëndetit “e kuptojnë lodhjen” e amerikanëve me masat për parandalimin e ekspozimit ndaj virusit. Por ai tha se mbajtja e maskave të fytyrës dhe respektimi i distancimit fizik “kanë efekt”.

Miliona amerikanë kufizuan grumbullimet e tyre tradicionale familjare për festën vjetore të Ditës së  Falënderimeve të enjten e kaluar, megjithatë miliona të tjerë injoruan paralajmërimet e ekspertëve të kujdesit shëndetësor kundër udhëtimeve për të vizituar të afërmit.

“Shqetësohem se e njëjta gjë” do të ndodhë me udhëtimin e njerëzve – me rrezikun e përhapjes së virusit – për vizitat e Krishtlindjeve me familjet e tyre, tha Fauci. Ai shtoi se grumbullimi i njerëzve paraqet “një rrezik të konsiderueshëm”. Fauci u bëri thirrje zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë “të mbyllin baret, të mbajnë shkollat e hapura”, për të mbajtur “nivelin e ulët të përhapjes në komunitet”.

Shtetet e Bashkuara kapërcyen 13 milionë raste të konfirmuara të premten. Virusi që shkakton sëmundjen COVID-19, ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 266,000 amerikanëve, më shumë se në çdo vend tjetër, sipas Universitetit "Johns Hopkins". Më shumë se 91,000 persona të infektuar janë aktualisht të shtruar në spitale në SHBA.