Transmetuar më 30-11-2020, 20:17

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj thotë se viti që po mbyllet ka qenë histori suksesi në luftën kundër kanabisit.

Lleshaj po ashtu deklaroi se tani strategjia është fokusuar te goditja në fazë të hershme.

Qarqet më problematike në luftën kundër kanabisit, sipas ministrit, janë Shkodra, Durrësi, Vlora dhe Berati. Lleshaj ishte i ftuar në Radarin Informativ në “ABC”,  ku tha gjithashtu se kanabisi është zhvendosur nga mali në qytet, pasi ka raste kur kanabisi po kultivohet në ambiente të mbyllura. “Tani luftën ta bëjmë poshtë në qytete” – theksoi ministri Lleshaj.

Sakaq, në fund të vitit përfundon periudha e afatit të veprimit të Aktit Normativ për Operacionin Forca e Ligjit.

“Operacioni kundër kanabisit për 2021 do ta fillojmë tani duke e fokusuar luftën në fazën e furnizimit me fara dhe elementë të tjerë”, – u shpreh ministri, i cili nënvizoi se detyra e policisë është që deri në fund të janarit të bëjë një bilanc.

Pjesë nga intervista e Sandër Lleshaj, për luftën kundër kanabisit dhe OFL-në:

Përse shpresoni të keni sukses në një kohë kaq të shkurtër?

Ne e kemi reduktuar në mënyrë drastike trafikimin. Kemi arritur të shkojmë te shifrat minimale historike, që janë të hapura në Itali apo Greqi. Në Itali janë 900 kg të kapura për vitin 2020. Tani besojmë ta godasim fortë në një fazë shuam të hershme.

Cilat janë zonat më problematike?

Zonat më problematike kanë qenë Shkodra, Durrësi, Vlora dhe Berati. Ne kemi pasur të dhëna që punonjësit e policisë nuk e kanë ushtruar si duhet detyrën si në Berat. Nuk është fenomen, por raste të izoluara. Janë zbuluar nga vetë policia, kjo do të thotë se policia ka kapacitet që të identifikojë këto probleme brenda vetes. Kjo tregon angazhimin tonë për të pastruar së pari problemet brenda vetes.

Ka një informacion, që kanabisi po mbillet në ambiente të mbyllura?

Kultivuesit do të përpiqen të gjejnë mënyra të reja. Tani luftën ta bëjmë poshtë në qytete. Me qasjen që kemi do të kemi një përshkallëzim tjetër të luftës ndaj kanabisit. Kjo luftë nuk mbaron kurrë. Po thellojmë përpjekjen tonë. Në Shqipëri po luftohet fort, vështirë të gjesh një vend tjetër që intensiteti i luftës kundër kanabisit është si në Shqipëri.

“Guardia di Finanza” ka bërë monitorim këtë vit?

Ka bërë më shumë se çdo vit tjetër dhe kemi pasur rezultate të shkëlqyera dhe shumë shpejt do të prezantojmë rezultatet e operacionit, është një histori e padiskutueshme suksesi me GdF-në.

Më thuaj sa e suksesshme ka qenë OFL?

Janë mbi 1500 pasuri të cilat presin radhën për vendimin përfundimtar.

Keni frikë se do i kthejë gjykata?

Jo, nuk kemi frikë nga gjykata, GJKKO ka kaluar procesin e vettingut dhe jemi të bindur se provat e paraqitura nga policia është i asaj natyre, sa është e pamundur të kemi surpriza negative.

Po rasti i Lul Berishës, që janë rikthyer?

Jo, nuk janë kthyer provat që kanë qenë subjekt i OFL-së është histori tjetër që ka të bëjë me gjykatën administrative të Durrësit. Nuk besoj se kemi surpriza negative. Janë 1500 pasuri që presin vendimin e gjykatës.

Ka gjasa që të legalizohen këto pasuri?

Nuk besoj. Ka anomali të madhe të padiskutueshme, nuk ka asnjë gjykatë që ta injorojnë këtë.

Po çfarë bëhet me njësinë “Fast”?

Janë disa njësi të reja që janë shtuar. Njësia “K” ka për detyrë kapjen e personave që i janë shmangur drejtësisë. Për 30 vitet e fundit janë shmangur mijëra vetë, detyra e kësaj njësie është kërkimi, dhe ka filluar nga puna. Janë qindra raste të kapura nga kjo njësi për llogari të drejtësisë sonë.

Ju kishit një objektiv me OFL-në, do ta shtyni?

Akti Normativ do të shtyhet që gjykata të ketë mundësi të përfundojë vendimmarrjen, ndërkohë që policia do ta mbyllë deri në fund të dhjetorit volumin kryesor të punës./a.m/NOA.al