Transmetuar më 05-12-2020, 23:58

Ka kaluar një muaj që prej arrestimit të ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe deputeti Rexhep Selimi. Më 5 nëntor, të njëjtën ditë kur u arrestuan, ata u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, ku tashmë po i priste edhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i arrestuar një ditë më parë.

Haga ka publikuar një dosje me 236 faqe që thotë se është aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Dosja përmban në mënyrë më të detajuar dyshimet se Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, janë të përfshirë në vrasje dhe tortura gjatë fundit të viteve ’90.

Në këtë version të plotë të dosjes, Dhomat e Specializuara publikuan data, vende dhe raste specifike, të kryerjes së krimeve. Sipas Speciales, vendet ku përmenden se personat e akuzuar dyshohet se kryen krime ishin nën kontrollin e UÇK-së, si Likoci, Jabllanica, Llapushniku, Volljaku, Drenoci, Malisheva, Bajgora, Llapashtica, Majaci, Zllashi, dhe të tjera.

Në pikën 139 të këtij proceverbali gjykatësi Nicolaus Guillio, vendimin për ngritjen e aktakuzës e bazon edhe mbi pretendimet e prokurorisë se ndërmjet prillit 1998 dhe janarit 1999, të paktën 25 persona janë marrë e mbajtur nga anëtarët e UÇK-së në një stacion policor të selisë qendrore të UÇK-së, si dhe në lokacione të tjera afër Likocit në Skënderajt, nga disa orë deri 40 ditë.

Në vendim veçanërisht përmenden 4 persona, të cilët janë mbajtur për shkak të veprimtarisë së tyre, spiunazhit, miqësisë dhe bashkëveprimit me serbët.Edhe në pikën 142 e këtij vendimi flitet për arrestimin dhe ndalimin arbitrar të 13 civilëve në Jabllanicë të Gjakovës.

Këta persona sipas vendimit janë mbajtur të lidhur në një kompleks kazerme në një shtëpi me 4 dhoma për gjashtë javë.

Mes tjerash, Jakup Krasniqi akuzohet se vizitoi personalisht disa vende të kontrolluara nga UCK-ja sin ë Likoc, Jabllanicë, Malishevë, Kleckë, Shalë, Llap e Kukës, vende këto ku prokuroria pretendon se janë kryer krime.

Përvec kësaj Krasniqi akuzohet se mori pjesë në takimet e komandantëve të zonave me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ku pretendohet se ishin lëshuar urdhra për ndalimin e njerëzve.

Këto të dhëna janë vetëm një pjesë e atyre që përmban akt akuza për krime lufte ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për kohën sa ishin eprorë të UÇK-së.