Transmetuar më 08-12-2020, 16:05

NOA ANALIZË/ Policia vrau në shtetrrethim djalin e ri në Ditën e Rinisë dhe 30-vjetorin e përmbysjes së diktaturës në Shqipëri. Vrasja, në shkelje të plotë të ligjit për policinë. Vetë ministria e Brendshme e pohon: Në momentin e ekzekutimit policor, i riu nuk kishte asgjë në duar

Jeta e një djali të ri, vetëm 25 vjeç, u shua sot, herët në mëngjes. Ai u qëllua me dy plumba derisa iu mor jeta, derisa ra në tokë i vdekur. U qëllua me armën e zjarrit të shtetit, nga punonjësi i Policisë së Shtetit, asaj policie që presupozohet se ka mision kryesor të ruajë jetën e shqiptarëve.

Kjo vrasje policore bart disa dyshime dhe shqetësime. Së pari ajo u krye në kushte të një mungese provash okulare. Një polic përballë një të riu dhe fjala e të gjallit kundër të vdekurit dhe po ka pasur edhe kolegë me policin e dyshuar, edhe fjala e tyre për kolegun.

E ndërtuar në këtë mënyrë, kjo situatë bart mungesë transparence për të vërtetën.

Por çfarë ndodhi sot që pa gdhirë kur ora ishte thuajse 2 e natës? Noa.al do të përpiqet të hedhë dritë duke analizuar fakte dhe dëshmi.

Klodian Rasha ishte një djalë 25 vjeçar i cili jetonte me familjen e tij pranë rrugës "Dritan Hoxha" në Tiranë. Këtë mbrëmje duke gdhirë e marta, duket se Klodianit nuk po i rrihej në shtëpi. Fundja si plot të tjerë që dalin natën për kafe apo takohen me shoqëri. Paçka se qeveria ka shpallur shtetrrethim dhe të gjobit me 10 mijë lekë. Fundja ka qytete si Korça që mbushet dingas natë për natë në lokale e klube me njerëz që bërtasin "Korça s’ka Covid" dhe policë që të thonë "e dimë që lokalet janë plot, por nuk kemi ça tu bëjmë".

Klodian Rasha gjendej në një rrugicë pranë asaj kryesore. Aty përballet me një polic. Gjë e rrallë në fakt që policët të bëjnë kontrolle dhe nëpër rrugica, ku njerëzia mund të dalë në çdo kohë, fundja dhe për të hedhur plehrat, për të pirë një cigare apo thjesht për të marrë pak ajër në këto kohë mbytëse dhe të pambarimtë pandemie.

Megjithatë, polici i Shqiponjave duhet të gjendej pikërisht aty në këtë të martë të mallkuar për jetën e të riut.

Vetë polici, sipas raportimeve sot në media, ka deklaruar se ka dashur ta ndalojë të riun, sepse kishte dalë nga shtëpia pasi kishte hyrë në fuqi ndalim-qarkullimi që është nga ora 22.00 deri në 05.00.

Kurse Policia e Shtetit në një komunikatë, thotë se polici i ka bërë thirrje të ndalonte, por Rasha nuk i është bindur.

Sikurse vetë Policia e pohon, Rasha duket se ka dashur të shmangë konfrontimin me policin sepse ka ikur me vrap.

Këtu kemi një deklaratë në kufijtë e dyshimit nga policia, pasi ajo thotë se Rasha "nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri", duke shtuar se në atë rrugë ishte "errësirë e plotë"(!)

Këtu ka dy momente. Së pari, i ndjeri ka ikur me vrap, kështu që zor se përbënte kërcënim për policin. Së dyti, ku e pa polici se i riu paskësh pasur armë zjarri, kur në komunikatë, pranohet zyrtarisht se polici ishte "në mungesë të ndriçimit të plotë".

Për më tepër, policia e justifikon vrasjen pikërisht me terrin, kur deklaron se polici e qëlloi të riun me armë zjarri, "në mungesë të ndriçimit të plotë".

Lind pyetja: çfarë është ky polic shteti që vret qytetarin pa e parë dhe pa qenë aspak i sigurt nëse kishte apo jo armë? A nuk e thotë ligji që ka disa etapa derisa të shkohet te qitja drejtpërdrejt në trup ndaj një të dyshuari?

A nuk duhet të qëllonte në ajër më së paku? Për më tepër që nga ana e të ndjerit nuk pati qitje me armë zjarri.

E pra, si vritet një qytetar kështu? Vallë kaq e thjeshtë është? Vallë kaq mjafton që qytetarët të vriten nga polici i shtetit?

Situata rëndohet edhe më shumë, pasi shërbimi i Brendshëm ka pohuar pasditen e së martës se arma që dyshohet se ka pasur i riu, është gjetur në një nga rrugicat ku ka kaluar i ndjeri dhe polici. Pra, në momentin që polici e ka vrarë djaloshin, ky i fundit nuk ka pasur asgjë në duar dhe qartësisht, polici ka shkelur ligjin dhe ka kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme.

Në këtë pikë lind pyetja, a mban përgjegjësi ministria e Brendshme për këtë vrasje?

Ky është një precedent shumë i rrezikshëm në dy aspekte. I pari, sepse u vra një djalë i ri në rrethana që vrasja mund të shmangej dhe e dyta, vrasje të tilla policore kanë provokuar protesta me pasoja kritike nëpër botë.

A i kupton ministria e Brendshme këto dy aspekte?

Këtë të martë 8 dhjetor, vdiq në mes të Tiranës, Klodian Rasha, djalë vetëm 25 vjeç. Për ironi të fatit, vdiq në shtetrrethim policor, nga një vrasje policore, për shkak të një errësire që na i jepka të drejtën policit që të vendosë të të marrë jetën duke hamendësuar dhe jo duke provuar, se mund të kesh pasur në dorë një armë, e për më tepër, pa u përdorur kurrë ajo armë, nëse ka ekzistuar.

Klodian Rasha vdiq pikërisht sot, kur është Dita Kombëtare e Rinisë, sot kur është përvjetori i 30-të i Demokracisë, i përmbysjes së sistemit komunist dhe diktaturës më të egër në Europë, por që fatkeqësisht, pasojat i ka lënë të pambarimta edhe sot.

Ngjarja e 8 dhjetorit 2020, të bën të besosh se që nga 8 dhjetori ’90, janë bërë 30 vjet që jemi duke u tërhequr zvarrë dhe kjo zvarritje vazhdon, kushedi deri kur…

Klodian Rasha