Transmetuar më 11-12-2020, 11:01

Në së paku 20 vitet e fundit, kam shkruar përherë për ministrat e Brendshëm dhe frymën që përcjellin.  Edhe për drejtorë policie që më së shumti e përdorin policinë apo thënë troç policin, si një mjet për të arritur qëllimet e tyre, shpesh edhe personale.

Kam folur veçanërisht për ata ministra, që nuk e kanë dashur kurrë figurën e policit. Ata drejtorë që më pas, nga drejtorë, çuditërisht katapultohen, sepse e përdorën siç duhet policin.

Për ata ministra, që sidomos e  kanë përçmuar ose e kanë shtyrë këtë organizatë të shformësohet përmes nismash e aksionesh, që i tjetërsojnë misionin, që nga policimi parandalimi, rendi e siguria publike.

Nis kështu, me drejtorë të përgjithshëm, që nuk kanë fuqi të kundërshtojnë ato fushatat idiote  e përdorim policësh që ngarkojnë e shkarkojnë tenda plazhi.

Me policë që i reshtojnë çdo mëngjes dhe iu vënë normën, duke iu kërkuar sa më shumë gjoba. Me shefa të paaftë, që bëhen shefa se janë servilë mjaftueshëm ndaj ministrit dhe drejtorit dhe asnjëherë nuk përcjellin të vërtetën dhe vetëm binden, duke urdhëruar gjoba, gjoba, gjoba. Masa, masa, masa. Arrestime. Shoqërime.

Dhe nga një polici që pak nga pak fillon dhe sillet si cube, duke të trajtuar si super kriminel, vetëm pse ke harruar rripin e sigurisë. JA ku jemi, para një policie që vret!

Vendosja si ministër i Brendshëm i një ushtaraku, patjetër që nuk duhet të na habiste më pas kur policia reagonte nëpër protesta me gaz lotsjellës.

Duhej përdorur, pasi të ezauroheshin fazat e ligjshme që policia ndjek në raport me qytetarin, thamë atëherë.

Thamë mbase, edhe që kjo mund të ishte një keqpërdorim i policisë, së bashku tejkalim sjelljeje policore.

Më pas , shumë larg policisë që vendosej si kordele në protesta, pamë se nisi dhuna ndaj organizatës së policisë.

Larg barkderrat, ishte një ide e ministrit fit. Jashtë policisë 55-vjeçarët e lart, ishte përpjekja tjetër, iu dha oksigjen një akademie që të jepte pistoletën në dorë me 6 muaj kurs, të bën komisar me 6 muaj polici, mjafton të kesh përfunduar ekselent një shkollë tjetër, bie fjala edhe si astrolog.

U hap aq shumë dera e forcave speciale, sa të mirëseardhurit ishin ushtarakë, pa pikën e informacionit se si ndërtohet raporti i besimit me publikun.

Dhe ja ku jemi, tek një polici që vret  pas shpine. Jo sepse kemi polici vrasëse. Por kemi një polici të paaftë.

Por dhe drejtori i përgjithshëm edhe ministri ushtarak, kanë frikë ta pranojnë paaftësinë.Ndaj nuk po i shikoni askund, por reagojnë duke nxjerrë pesë policë si qyqe para një dere të blinduar. Për të na thënë ja ku i keni, rrihini, bjeruni. Kjo ndodhi mbrëmë, teksa qëlloheshin me gurë dhe shefat iu bërtisnin mos lëvizni.

Paaftësi e frikshme , kur kanë rrjedhur kaq orë dhe veç dy gishtave njoftim, nuk patën kurajë ta shpjegojnë çfarë ndodhi me Klodianin dhe se polici që e vrau ishte aq i papërgatitur, sa ishte aq i ç’orientuar sa nuk e kishte idenë si veprohet me një qytetar që nis e shikon si armiku në llogore.

Sepse, nëse do pohonin paaftësinë, pranojnë masakrën që bënë me policinë dhe për pasojë pranohet se këto janë kusuret e qytetarit.

Nisi me qytetarë që shtrihen me kokë mbi asfalt nga forcat Shqiponja, pasi bravo-çunat i parakalove pa dashje. Ose se të ndaloj se dua unë, jo sepse ka një shkak.

Pastaj shkojmë tek ajo forcë e Shqiponjave që i vendosin në tabelë nderi, pasi kanë vjelë më shumë gjoba e kanë sjellë më shumë të ardhura.

Kjo polici kthehet groposëse, jo vetëm për Klodianin, që u ndoq këmbë pas këmbe deri sa u qëllua. Por edhe për Nevjonin, policin që pasi u rrëzua në këmbët e qytetarit , thotë se nga frika qëlloi.

A nuk tha ministri, që polic ishe polic mbetesh? Ja pra, Ard Veliu, kështu ndodh kur tund kokën dhe përpiqesh ta bindësh, se policët që drejton ti, janë ushtarët e Sandrit!