Transmetuar më 14-12-2020, 21:10

Dalin detaje rreth vrasjes së gruas 33 vjeçare me origjinë nga Gadimja e Lipjanit, me inicialet M.M, e cila u qëllua me armë të shtunën mbrëma nga kunati i saj në Gjermani.

I dyshuari ka plagosur edhe vëllain e saj, 38 vjeçarin F.S.

Mësohet se M.M. dhe F.S., ndodheshin në shtëpinë e ish kunatës ku kishin shkuar për të ndërmjetësuar që ajo ta shpëtojë martesën.

Gjatë së hënës në familjen e viktimës janë hapur dyert e morgut. Ata nuk pranuan të komentojnë ngjarjen publikisht, as të tregojnë se vajza e tyre nuk ka pasur asnjë problem me familjen e burrit të saj.

Në lidhje me rastin nuk folën as familjarët e të plagosurit, njëkohësisht edhe të dyshuarit, që janë nga Ferizaj.

Gjatë ngjarjes raportohet se dëshmitarë ishin edhe disa fëmijë, ndërkaq jozyrtarisht, mësohet se i dyshuari kishte ushtruar dhunë edhe më parë ndaj ish bashkëshortes së tij.

33 vjeçarja la tre fëmijë. Varrimi i saj do të bëhet në Gadime.

Sipas mediave gjermane, autori i krimit, për të cilin mediat në Kosovë kishin raportuar se ishte nga Ferizaj, shkoi në ish-banesën e familjes së tij.

Vëllai 38-vjeç, i cili po vizitonte gruan dhe tre fëmijët e saj, e informoi atë se ajo nuk dëshironte të fliste me të.

Sidoqoftë, burri, i cili kishte një armë zjarri dhe një shkop me vete, mundi të hynte në apartament pak më vonë dhe, sipas policisë, papritmas filloi me të shtëna armësh në drejtim të anëtarëve të familjes, që ishin të pranishëm.

Mediat gjermane më tej tregojnë se disa mjekë të urgjencës u kujdesën për të plagosurit, ndërsa gruaja duket se vdiq gjatë rrugës për në spital. Edhe vëllai i saj i cili gjithashtu pësoi një plagë me armë zjarri, në mbrëmje u tha se jeta e tij nuk ishte në rrezik.

Fëmijët u morën nën kujdesin e autoriteteve.  /a.m/NOA.al