Transmetuar më 16-12-2020, 22:41

Ish-i dashuri i një gruaje, trupi i së cilës u gjet në një valixhe pluskuese në një kanal ujor në Miami në SHBA, është arrestuar së fundmi gati dy dekada pasi policia e dyshonte fillimisht si autor. 46 vjeçari Berkley Calvin Curtis u arrestua të hënën për vrasjen e 26-vjeçares Rebeca Pena.

Trupi i Pena u zbulua nga punonjës barkash në lumin Biscayne më 16 prill 2001. Në valixhe ishin futur pesha të rënda për ta mbajtur të fundosur.

Policia gjeti adresën e familjes së Pena në Maryland, ku jetonte dhe Curtis asokohe. Curtis është babai i fëmijës së Pena, thanë autoritetet, ndërsa peshat e gjetura në valixhen me trupin e viktimës, ishin të njëjta me ato që Curtis kishte në shtëpinë e tij në Miramar.

Por çështja kishte mbetur e pazgjidhur, deri në vitin 2014 kur një tjetër grua që kishte një fëmijë nga Curtis, i tha policisë se natën e vdekjes së Pena, ai ishte zhdukur për disa orë.

Policia nuk tregoi se çfarë saktësisht çoi në arrestimin e Curtis, por “një krim i pazgjidhur rëndon në zemrat e çdo prindi apo familjari të lënë prapa”, tha prokurorja Katherine Fernandez Rundle për rrjetin CBS Miami.