Transmetuar më 18-12-2020, 01:42

Një ndër mjekët që humbi jetën pak kohë më parë, mendoi se e kaloi koronavirusin me mjekimin që mori në shtëpi. Dy javë më pas ai u kthye në punë, por telashet me Covidin iu rikthyen, këtë herë më rëndë, duke i shkaktuar vdekjen.

Këto ditë, një prokuror në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, është duke vuajtur prekjen sërish nga koronavirusi, edhe pse e ka kaluar atë disa javë më parë. Për më tepër, prokurori po përballet me problem të ri, temperaturën më të ulët se normalja, 35.5.

Këto janë vetëm pak raste të rikthimit të Covid-19 në Shqipëri.

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së, Silva Bino, thotë se në spitalet Covid janë regjistruar katër raste duke mos përjashtuar të ketë të tjera.

“Kemi katër raste riinfektimi me Covid, ku dy prej tyre janë personel shëndetësor dhe këto kanë qenë raste, të cilat ne i kemi vërtetuar, dhe kanë qenë raste përtej tre muajve, sepse tre muaj pasi kalon covid-in ti mund të kesh pozitivitet, por personi nuk është infektues se janë mbeturina të virusit.

Pra, kjo nuk është se personi është infektues, dhe nuk paraqet rrezik për tjetrin. Në një rast ka qenë më agresiv. Ka pasur rastet që riinfektimi ka qenë në një formë të lehtë, por ka pasur dhe raste më të rënda", – tha dr.Bino.

Sakaq, janë të shumtë shqiptarët që po përballen me një dukuri tjetër: Pësojnë plot simptoma Covidi por kur një muaj pas nisjes së tyre, bëjnë test serologjik, u del që nuk e kanë kaluar. Pak javë më vonë infektohen sërish duke shtruar pikëpyetje nëse ky lloj virusi është përsëritës si gripi që ndodh të të rikthehet disa herë brenda një sezoni stinor. Duket se përgjigjet janë të pamundura tani. /noa.al/