Transmetuar më 21-12-2020, 08:45

Liga Profesioniste e Futbollit dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj gjyqtarit Elis Pulaj gjatë ndeshjes Delvina-Albpetroli, e vlefshme për javën e 7-të të Kategorisë së Dytë, Grupi B.

Në qëndrimin e ligës thuhet se “kjo ngjarje e rëndë meriton të zbardhet sa më shpejt dhe të vërë para ligjit autorët. Dhuna si një fenonem negativ ka shoqëruar futbollin shqiptar në nivele dhe kategori të ndryshme. Vetëm forca e ligjit, Policia e Shtetit dhe Prokuroria kanë autoritetin për të parandaluar, zbardhur dhe dënuar agresorët që cënojnë futbollin. Ngjarja në Delvinë mund të përsëritet nesër diku tjetër. Vullneti politik për të hartuar ligje dhe zbatuar drejt ato do të parandalojë dhe largojë përfundimisht dhunën nga stadiumet në Shqipëri. Është momenti për të reaguar, gjetur zgjidhje dhe mbrojtur komunitetin e madh te futbollit”, – thuhet në reagimin e Ligës.

Ngjarja ka ndodhur të shtunën gjatë ndeshjes Delvina-Albpetroli, ku sipas policisë një person i ndodhur jashtë stadiumit,  ka goditur me gurë, në drejtim të njërit prej asistentëve të arbitrit.

Si pasojë, gjyqtari Pulaj është dëmtuar në kokë dhe është transportuar në Spitalin e Sarandës, jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë ai vijon të qëndrojë i shtruar deri në riaftësimin e plotë. /e.a/noa.al/